Arbëri

Evidentohen parregullsi edhe në afatin e dytë të Provimit të Maturës

Gjatë së shtunës në Kosovë është mbajtur afati i dytë i Provimit të Maturës. Testimit i janë nënshtruar rreth 7 mijë maturantë, përderisa procesi është përcjellë edhe me disa parregullsi. Për ta monitoruar zhvillimin e procesit të testimit mediat nuk janë lejuar brenda qendrave të provimit.

6 mijë e 732 nxënës gjatë së shtunës i janë nënshtruar afatit të dytë të provimit të Maturës Shtetërore.

Provimi është mbajtur në 68 qendra të testimit në të gjithë Kosovën, përderisa të angazhuar në mbarëvajtjen e këtij procesi kanë qenë 200 komisionerë, 130 mbikëqyrës, 65 vëzhgues, si dhe 650 administrues.

Edhe objekti i shkollës “Sami Frashëri” në Prishtinë u shfrytëzua si qendër testimi ku provimin e plotësuan 100 nxënës të shkollave të ndryshme.

Gjatë testimit, drejtori i shkollës, Fetah Fejzullahu, raportoi për proces të rregullt dhe pa ndonjë telashe.

“Testet kanë arritur në kohë, nxënësit kanë arritur në kohë, në orën 10:00 të gjithë kanë qenë nëpër vendet e veta dhe në orën 10:00 janë shpërndarë testet. Deri në këto momente nuk kemi ndonjë ekses që ka ndodhur qoftë rreth gjetjes së telefonave brenda objektit apo ndonjë prishje të rendit”, ka thënë ai.

Por, ndryshe nga ai, pas përfundimit të provimit, maturantët kanë pohuar të jenë marrë telefona gjatë procesit të testimit, por lidhur me këtë drejtori nuk ka dëshiruar të prononcohet, duke u thirrur në moskompetencë.

Për të parë më afër procesin e testimit, mediat nuk u lejuan brenda.

Në arsyetimin e Ministrisë, theksohej se ndalohet prania e mediave dhe personave të tjerë brenda për të mos ndikuar në mbarëvajtjen e procesit testues.

Në komunikatën e Ministrisë lëshuar pas përfundimit të testit thuhet se provimi ka shkuar sipas planit, ndonëse janë evidentuar parregullsi.

“Sipas informatave të para të komisioneve, provimi ka filluar dhe ka përfunduar në kohën e caktuar dhe çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës. Ndërkaq, në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa që parashihen me Ligjin e Maturës, si ndaj administruesve, ashtu edhe ndaj nxënësve”, thuhet në njoftim.

KOHA i ka dërguar pyetje Ministrisë, lidhur me parregullsitë e evidentuara dhe moslejimin e mediave brenda qendrave të testimit, por ata nuk janë përgjigjur.