As në afatin e dytë Ministria e Arsimit nuk arriti të ndalonte shpërndarjen e provimit shtetëror të maturës nëpër rrjete sociale. Publikimi ndodhi pavarësisht masave të rrepta të sigurisë, ndërsa komisionerët raportuan se procesi u zhvillua normalisht
Ani pse maturantëve iu kërkua që çantat dhe telefonat t’i vendosin pranë dritares së korridorit, kjo nuk e pengoi që testi i maturës si zakonisht të shpërndahej vetëm pak minuta pas nisjes së provimit.
Rreth orës 10:00, kur afërsisht 5.500 maturantë nga e gjithë Kosova u ulën në banka për t’iu nënshtruar afatit të dytë të provimit shtetëror të maturës, përmbajtja e testit u publikua në rrjete sociale.
Fatmir Elezi, udhëheqës i Divizionit për Vlerësim në MASHT, tha se pavarësisht masave të rrepta të sigurisë për mbarëvajtjen e procesit, testi arriti të publikohej në internet. Megjithatë, ai theksoi se nuk është raportuar ndonjë parregullsi nga komisionerët gjatë mbajtjes së procesit.
“Në afatin e qershorit kemi pasur disa raste kur nxënësit janë përjashtuar për shkak të posedimit të telefonit dhe këta e kanë ditur që nëse kanë telefona do të largohen nga testi, mirëpo prapë ka disa individë që kanë arritur me fotografu testin dhe kjo po i jep një hije të keqe procesit, mirëpo shumë pak ka ndikim në salla apo tek nxënësit. Tash testi është publikuar menjëherë në Facebook prej disa nxënësve, mirëpo në shumicën e qendrave administratorët nuk i kanë lejuar të hyjnë me telefona”, ka thënë Elezi.
Për mbarëvajtjen e procesit sivjet është aplikuar masa që e parasheh shpërndarjen e nxënësve të një shkolle apo paraleleje në objekte të tjera shkollore.
Në atë të gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë testimit iu nënshtruan 150 maturantë nga shkollat profesionale të kryeqytetit.
“Deri tani nuk kemi pasur asnjë incident. Kemi filluar në orën 10:00. Rreth 10 klasë me 10 nxënës, kryesisht nga shkollat profesionale. Asnjë rast përjashtimi nuk e kemi, edhe ata që i kanë telefonat, sepse e kanë pasur të ndaluar me i marrë, telefonat janë bartur nëpër korridore”, ka bërë të ditur Haxhi Metaj, drejtor i gjimnazit shoqëror “Ahmet Gashi”.
Maturantët gjatë testit i shpalosën njohuritë e tyre në tri lëndë obligative – matematikë, gjuhë shqipe e gjuhë angleze, si dhe në një zgjedhore.
Për secilën prej tyre janë shtruar nga 25 pyetje. E rezultati, sipas MASHTI-t, do të bëhet i ditur më 1 shtator.
Afati i parë i provimit shtetëror të maturës u mbajt më 21 qershor.