Arbëri

Tafallari: Kjo që po ndodh në sheshin "Xhorxh Bush", për poena politike

Tafallari

Driton Tafallari, profesionist i fushës së banimit, ka thënë se zënka mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës për punimet në sheshin “Xhorxh Bush” po bëhet për poena politikë.

Sipas tij, kudo që punohet në një zonë ndërtimore nëse në një rrethinë ka objekte të trashëgimisë kulturore, aty duhet të kërkohet që ajo zonë të trajtohet në mënyrë specifike – të kërkohet leje.

“Kjo zënka që po e shohim më tepër është politike se teknike sepse nuk e shoh shumë problem nxjerrjen e cfarëdo leje kur ka vullnet të palëve, por po shihet se zgjedhjet lokale i kemi afër dhe kjo zënkë po shfrytëzohet për poena politikë prej të gjitha palëve”, ka thënë ai në “Konfront”.


Gjejlane Hoxha: Projekti për sheshin ka filluar pa leje, pa projekt, pa asnjë procedurë

Ekspertja e fushës së mbrojtjes dhe konservimit të trashëgimisë kulturore, Gjejlane Hoxha, ka thënë se projekti i Komunës së Prishtinës për sheshin “Xhorxh Bush” ka filluar pa leje, pa projekt dhe pa asnjë procedurë.

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, ajo ka deklaruar se komuna nuk ka të drejtë as të bëjë planifikime në këtë hapësirë pasi i ndalohet me Ligjin për Planifikim Hapësinor.

“Ky projekt ka filluar pa leje, pa planifikim, pa asnjë procedurë. Nëse hymë në detaje ta elaborojmë, do të dalë që komuna nuk ka të drejtë as të planifikojë në këtë hapësirë, sepse Ligji për Planifikim Hapësinor ia ndalon. Po përmendet PZHK-ja, po përmenden planet rregulluese urbane, ndër pesë ligjet vitale të Kushtetutës së Republikës së Kosovës është Ligji për Trashëgimi Kulturore, i cili ka plot mangësi, nuk mund të iniciohet plotësimi i ligjit për arsye politike problematike. Por, si ligj vital është mbi të gjitha ligjet tjera, për arsye se trashëgimia kulturore është çështje vitale, jetike”, ka thënë ajo. 


Buzhala: Komuna nuk ka lëshuar leje ndërtimore për sheshin as vetë

Mentor Buzhala, gazetar, ka thënë se Komuna e Prishtinës nuk ka lëshuar leje ndërtimore për sheshin.

Ai ka thënë se ky është skandal, pasi siç ka shtuar ai, Komuna e ka shkelur edhe Ligjin për buxhetin sepse punimet nuk janë paraparë në buxhet.

“Me ligjin për ndërtim, arkitekti është ai që i siguron të gjitha lejet për punimin e një projekti. Asnjë prej lejeve nuk e ka siguruar kompania projektuese, as lejen e ndërtimit dhe as pëlqimin... Një leje ndërtimi sheshi nuk e ka dhe ky është skandal në vete. Nuk është e planifikuar me buxhet dhe e ka shkelur Ligjin për buxhet dhe një rregullore”, ka thënë ai. 

 


Eliza Hoxha: Procesi për sheshin i ndërtuar mbrapsht, kryetari s'përfill asnjë ligj

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se procesi për sheshin “Xhorxh Bush” është i ndërtuar mbrapsht. 

Sipas saj, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama nuk e përfill asnjë ligj. 

“Mendoj se i gjithë procesi ka qenë i ndërtuar mbrapsht. Ne nuk e kemi parë një projekt të plotë me të gjitha fazat siç është një projekt, i cili duhet të shkojë dhe të pajiset me leje dhe me gjithë këto vendime që duhet të merren për shkak të ndjeshmërive që vijnë si pasojë e objekteve të caktuara, apo zonës së caktuar, për të kaluar më pas në një proces të gjerë, të diskutimit publik se cilat janë nevojat, kërkesat dhe si e shohin njerëzit e Prishtinës zgjatimin e bulevardit deri te Katedralja”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se kjo nismë ka qenë jotransparente dhe është bërë si vendimmarrje në mënyrë arbitrare. 

“Kjo hapësirë ka qenë e mbyllur tash e tri vjet dhe askush nuk është marrë me asnjë problematikë që qytetarët e Prishtinës e kanë theksuar, as nuk kemi pasur një analizë se çka ka ndodhur në kryeqytet prej se kjo hapësirë është mbyllur. Ka qenë mbyllje arbitrare pa një dialog social. Në fund shohim edhe luftë politike, për mua ishte e turpshme se çfarë pashë dje në shesh. Proceset zyrtare duhet të kryhen ku janë zyrat, jo të shohim skena në shesh. Mendoj se z.Rama për këtë projekt, por edhe në projekte të tjera, përfshirë edhe rrugën ‘Rexhep Luci’ që është në gjykatë komerciale dhe ka një reagim për kërkesën e banorëve që janë ankuar. Nisma e krejt këtyre ka qenë jotransparente dhe është bërë si vendimmarrje në mënyrë arbitrare. Më e pakta që duhet të shohim është kur vetë institucioni, apo kryetari i kryeqytetit nuk përfill asnjë ligj në fuqi”, ka shtuar ajo.