Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ekrem Hyseni zgjidhet kryetar i LDK-së në Podujevë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur mbrëmë një Kuvend të jashtëzakonshëm zgjedhor në Podujevë, ku ka zgjedhur kryetar të ri të kësaj dege, Ekrem Hysenin, i cili në zgjedhjet lokale ishte kandidat i kësaj partie për kryetar të kësaj komune.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar vetë Hyseni, i cili ka thënë se Kuvendi ka rezultuar i suksesshëm dhe me një kulturë të lartë politike.

“Mbrëmë kemi mbajtur një Kuvend zgjedhor, ku ka pasur pjesëmarrës një numër të madh të delegatëve, dhe në mënyrë unanime unë jam zgjedhur kryesues i degës së LDK-së në Podujevë”, ka thënë Hyseni.

Ai ka thënë se përveç tij, nuk ka pasur emra të tjerë të propozuar për këtë pozitë të rëndësishme të partisë.

Deri vonë degën e LDK-së në Podujevë e ka drejtuar Agim Veliu, i cili për shumë vite ka qenë edhe kryetar i komunës. Ndërkohë, Veliu nuk ka marrë pjesë në këtë Kuvend zgjedhor, duke e quajtur atë shkelje të statutit të LDK-së dhe të kundërligjshëm. 

"Duke qenë se kuvendi i sotëm është kundërstatutar dhe i paligjshëm, të dashur veprimtarë dhe anëtarë të LDK-së, ju njoftoj se nuk do të marr pjesë në një farsë të tillë, ku do të tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që nuk është as pjesë e strukturave të degës sonë. Kjo që po bën Abdixhiku, me misionarët anti LDK të mbledhur rreth vetes, nuk është asgjë tjetër veçse një proces i shkatërrimit të degës në Podujevë, bastionit të fundit të LDK-së", ka shkruar Veliu në Faceobook.