Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ekipe mobile për të vaksinuar qytetarët edhe në qendra tregtare

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga 4 nëntori do të shfrytëzojë edhe qendra tregtare si vende për të vaksinuar qytetarët kundër COVID-19. Nga nesër ekipi mobil për vaksinim kundër COVID-19 do të qëndrojë në “Albi Mall” në Prishtinë, prej orës 12:00 deri në 20:00, sipas MSH-së.

“Së shpejti edhe në komuna dhe në qendra të tjera”, ka paralajmëruar MSH-ja.

Iniciativa për ekipe mobile vjen në kohën kur në vend trendi i vaksinimit kundër COVID-19 ka rënë ndjeshëm. Vetëm 572 qytetarë të martën morën dozën e parë anti-COVID. Ndërkaq për 7 ditët e fundit u dhanë vetëm 2557 vaksina për ata që janë paraqitur për dozë të parë.

Deri tash, në nivel vendi janë administruar një milion e 575 mijë vaksina kundër virusit. Prej tyre, mbi 734 mijë qytetarë i kanë marrë të dyja dozat, ndërsa 105 mijë janë në pritje të dozës së dytë.

MSH-ja dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në vazhdimësi po bëjnë thirrje për vaksinim, duke paralajmëruar se vala e ardhshme është e pashmangshme.

Të martën, MSH-ja miratoi rekomandimin edhe për vaksinimin e fëmijëve të grupmoshës 12 deri në 15 vjeç.