Arbëri

Nga nesër, vaksinimi anti-COVID edhe në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë

Ministria e Shëndetësisë ka informuar qytetarët se nga dita e nesërme, në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës do të hapet një pikë e re e vaksinimit anti-COVID.

Sipas MSH-së, kjo po bëhet me qëllim të ofrimit të sa më shumë mundësive për qytetarët për marrjen e vaksinës.

“Me rastin e fillimit të vaksinimit në këtë pikë shtesë, të pranishëm do të jenë Ministri i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi, kryetari i Komunës së Prishtinës, zPërparim Rama si dhe përfaqësues nga UNICEF-i, USAID-i dhe kontribuues të tjerë në procesin e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë. Hapja zyrtare e kësaj pike të vaksinimit do të bëhet të enjten (10 shkurt 2022) në ora 12:30 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Vaksinimi anti-COVID në Prishtinë, përveç në QMF-7 në lagjen Kalabria (ish-Emshir), në qendrën tregtare “Albi Mall” dhe në sheshin “Zahir Pajaziti”, së shpejti do të fillojë edhe në një pikë tjetër të re në Kodrën e Trimave në Prishtinë (QMF-2), sipas MSH-së.

Ministria e Shëndetësisë u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë çdo mundësi dhe të vaksinohen kundër COVID-19.

Që nga fillimi i vaksinimit, janë administruar në total 1.796.305 doza. 896.328 janë vaksinuar me një dozë, 809.228 me dy doza dhe 90.619 me doza të treta/përforcuese.