Arbëri

Ejupi: Kryeministrit nuk i takon të thotë se po i mbani ngrohtë të gjitha dhomat, ai duhet të gjejë zgjidhje

Burim Ejupi

Drejtori i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), Burim Ejupi, ka thënë se qytetarët do të paguajnë faturë më të lartë të energjisë elektrike. Ejupi ka thënë se as vitin e kaluar nuk është dashur të ngritet çmimi sepse metodologjia ka qenë vetëm për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë.

Ai në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti se qytetarët po i mbajnë ngrohtë të gjitha dhomat. Ejupi theksoi se kryeministrit nuk i takojnë këto deklarata, por zgjidhja.

“Qytetarët do ta paguajnë faturën më të madhe të energjisë elektrike. Por, as vitin e kaluar nuk është dashur të ngritet energjia elektrike për të gjithë konsumatorët, sepse metodologjia ka qenë për konsumatorët mbi 800 kilovatë, ndërsa çmimi i faturave u ngrit për të gjithë. Kryeministri nuk është për të thënë po i mbani ngrohtë të gjitha dhomat e për popullizëm, ai është për të gjetur zgjidhje”, ka thënë Ejupi.

Ejupi ka thënë se duhet të bëhet një Komision Hetimor Parlamentar për t’u gjetur shkaku në raport me situatën me energjinë elektrike. Ejupi ka thënë se duke u bazuar në raportin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, në vitin 2024 ishin 23 ndalje të paparashikueshme të blloqeve, ndërsa në vitin 2019 kanë qenë vetëm dy.

“KEDS-i e ka fajin e tij që doli KOSTT-i dhe tha nuk ka nominuar më pak. Reduktimet duhet t’i hidhen si humbje KESCO-s jo ne të paguajmë pse ai po menaxhon keq. Ne s’kemi pasur energji elektrike. Këtu pastaj hapet rruga për spekulime. Ministrja thotë e kemi rinovuar bllokun B1, i kemi rritur jetëgjatësinë 20 vjet dhe pas katër ditësh bie blloku. Kemi keqmenaxhim, KEK-u është me ushtrues detyre që pesë vite. Kur ka qenë Komisioni Hetimor Parlamentar në rastin e energjisë kemi pasur shumë informata, përfshirë edhe që ambasadori ynë paguhet nga Beogradi si konsulent. Nëse e marrim raportin e ZRRE-së për vitin 2024 e vërejmë se ndaljet e paparashikueshme të blloqeve kanë qenë 23 ndërsa për vitin 2019 kanë qenë vetëm dy. Kjo lë hapësirë për spekulime”, ka thënë Ejupi.

Sipas Ejupit qytetarëve rezidentë të Kosovës po iu faturohet për 12 muaj, shpenzimi i diasporës për vetëm një muaj në fundvit.

“Ka vende në Evropë që për ata konsumatorë që nuk kanë shpenzuar 11 muaj dhe përnjëherë shpenzojnë e kanë tarifën tjetër. Diaspora në këtë rast shpenzon vetëm një muaj e ne qytetarët e tjerë që jetojmë 12 muaj të tjerë duhet të paguajmë sepse importi paska qenë më i shtrenjtë për atë periudhë. Duhet të gjenden forma”, ka thënë Ejupi.

Ejupi ka treguar edhe për propozimin që shpenzimi dhe faturimi për energjinë elektrike të jetë tri tarifore. Sipas Ejupit momentalisht më lirë është të ngrohesh me energji sesa me dru.

“Ne kemi propozuar të jetë faturim tri tariforë. Njëra deri në 600 kilovatë sepse në bazë të një hulumtimi është energjia e nevojshme për ekonomi familjare dhe bazike për katër-pesë anëtarëshe. Mbi 600 kilovat shpenzim atëherë i bie që po e përdorë energjinë për ngrohje. E di që në Kosovë shumica e njerëzve nuk kanë mundësi tjetër për ngrohje. Momentalisht më lirë është të ngrohesh me energji sesa me dru e do të duhej të ishte e kundërta”, ka thënë Ejupi në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Gjendja aktuale sipas Ejupit është përgjegjësi e qeverive të cilat nuk kanë bërë së paku atë që e kanë bërë vendet e rajonit.

Para disa ditësh, KESCO ka kërkuar rritje prej 21.3 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, duke u thirrur në rritjen e kostove operative dhe nevojën për furnizim të qëndrueshëm me energji.

Zyrtarë të ZRRE-së kanë thënë se këto kërkesa do t'i nënshtrohen shqyrtimit dhe se do të aprovohen vetëm kostot që vlerësohen të arsyeshme.

Në tri rastet e fundit kur u shtrenjtua rryma ishte në vitet 2022, 2023 dhe 2025.