Një numër i konsiderueshëm i bizneseve të vogla në Kosovë mund të përballen me ndryshime në faturimin e energjisë elektrike, pasi nuk kanë aplikuar me kohë për të mbetur në tregun e rregulluar. Afati për aplikim përfundoi më 16 maj, ndërsa përfaqësues të bizneseve pohojnë se shumë kompani nuk janë informuar në kohë për këtë proces dhe për pasojat që sjell kalimi automatik në tregun e hapur të energjisë
Dhjetë ditë pas përfundimit të afatit për aplikim në tregun e rregulluar të energjisë, përfaqësues të bizneseve kanë shprehur shqetësime serioze se shumë kompani të vogla nuk kanë aplikuar me kohë për mungesë të informimit.
Si rezultat, këto biznese edhe pse plotësojnë kushtet që të vazhdojnë të furnizohen në treg të rregulluar, rrezikojnë të përfundojnë në tregun e hapur, ku tarifat janë më të larta dhe të paqëndrueshme.
Me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 të punësuar ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro janë të detyruara të dalin në treg të hapur. Ndërkaq, bizneset që nuk i përmbushin këto dy kritere është dashur që deri më 16 maj të aplikojnë te furnizuesi KESCO për të mbetur në sistemin e tarifave të rregulluara.
Por Kushtrim Ahmeti, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, tha se procesi nuk ka qenë transparent dhe bizneset nuk ishin të informuara mirë për këtë çështje.
“Vetë vendim është marrë dhe nuk e gjen askund. Ne si shoqata të bizneseve jemi njoftuar prej mediave për vendimin që Kosova do të hyjë në tregun e liberalizuar të energjisë. Ne përfaqësojmë mbi 700 biznese, si mund ta dinë këto 700 biznese që po shkojnë në treg të hapur nëse ne nuk e dimë”, ka thënë Ahmeti.
KOHA ka kërkuar informata në kompaninë KESCO se sa biznese kanë aplikuar për të mbetur në tregun e rregulluar të furnizimit me energji dhe sa bizneseve u ka ofruar furnizim me tarifa të tregut të hapur. Por në këtë kompani kanë thënë se janë ende në fazën e shqyrtimit të dokumentacionit.
“KESCO është ende në proces të shqyrtimit të dokumentacionit të konsiderueshëm të pranuar nga bizneset që përmbushin kriterin e 50-të të të punësuarve ose më pak, dhe qarkullimit vjetor prej 10 milionë eurosh ose më pak. Sa i përket pyetjes së dytë, dëshirojmë të theksojmë se si furnizues i derregulluar, KESCO është i përkushtuar të bashkëpunojë dhe të zhvillojë takime me të gjitha bizneset që do të kalojnë në tregun e hapur të energjisë dhe që janë të interesuara për të pranuar oferta nga KESCO”, thuhet në përgjigjen e KESCO-s.
Nga 1 qershori është paraparë që të hyjë në fuqi vendimi i ZRRE-së për bizneset.
Sipas informatave të ofruara nga Administrata Tatimore e Kosovës, 851 kompani përmbushin njërin nga dy kushtet për të dalë automatikisht në treg të hapur të furnizimit me energji.
E biznese të ndryshme në Kosovë që plotësojnë njërin nga këto kushte, ditëve të fundit kanë ngritur alarmin se furnizimi në treg të hapur do t’u kushtojë deri në 270 për qind më shtrenjtë, bazuar në ofertat që kanë marrë.