Arbëri

Dykuptimësia e një norme i detyroi maturantët të paguanin për provim pranues

Një Udhëzim Administrativ, të cilin Ministria e Arsimit e ka nxjerrë vitin e shkuar, i liron studentët nga tarifat. Por, UP-ja ka aplikuar pagesë për maturantët që kanë aplikuar për t’u regjistruan në këtë universitet, pasi kanë thënë se, në bazë të Udhëzimit, nga tarifat lirohen vetëm studentët dhe jo ata që mësyjnë ta marrin këtë status. Në Ministri kanë dhënë një interpretim tjetër dhe kanë urdhëruar që tarifa e tillë të mos arkëtohet

Secili nga maturantët që ka aplikuar për t’u bërë pjesë e Universitetit të Prishtinës (UP) ka paguar nga 2.50 euro për provimin pranues, edhe pse një Udhëzim Administrativ (UA), i miratuar vitin e shkuar, përmban një dispozitë, që, sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), nënkupton lirimin nga kjo tarifë.

Por, ndryshe nga Ministria, dispozita është lexuar në Universitet.

Në Rektoratin e UP-së kanë thënë se e kanë pasur të paqartë përmbajtjen e dispozitës në Udhëzimin Administrativ për Aplikimin e Pagesave të Studentëve në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë.

Ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të UP-së, Besfort Krasniqi, ka thënë se nenet në UA nuk e përshkruajnë qartë çështjen e pagesës së kandidatëve për studentë, pasi atyre iu referohen si studentë të rregullt.

“Fillimisht kjo kërkesë është përfshirë në konkurs për shkak se neni 5 [Përjashtimet] i UA (MASHTI) Nr. 09/2021 nuk është i qartë te çështja e pagesës për provimin pranues. Ky provim nuk është provim i rregullt dhe kandidatët nuk e kanë statusin e studentit”, ka thënë Krasniqi.

Në UA, lirimi nga tarifat u referohet studentëve. E, në momentin e aplikimit, maturantët nuk e kanë statusin e studentit.

“Të gjithë studentët lirohen nga pagesa e tarifës së shkollimit nga neni 2, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.3 dhe nenit 3 paragrafit 1 nënparagrafit 1.1 dhe 1. 2 të këtij Udhëzimi, kur e regjistrojnë semestrin për herë të parë”, shkruan në Udhëzimin Administrativ.

Nënparagrafi 1.1 i nenit 3 bën fjalë për “provimin pranues”.

Por, në Ministrinë e Arsimit kanë thënë se legjislacioni është i qartë, pavarësisht dykuptimësisë që e ka shtyrë UP-në që të aplikojë tarifa.

“Sipas Udhëzimit Administrativ të MASHTI-t, nr. 09/2021, për aplikimin e pagesave të studentëve në IAL, kandidatët për studentë në UP lirohen nga pagesa e tarifës prej 2.5 euro, për provim pranues”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Gjithashtu në Ministri treguan se posa janë njoftuar se në konkursin e UP-së është paraparë pagesa me rastin e paraqitjes së provimit pranues, kanë kërkuar që të respektohet Udhëzimi Administrativ në fuqi. Sipas Ministrisë, menjëherë konkursi është përmirësuar.

Sipas ushtruesit të detyrës së sekretarit të UP-së, fletëpagesa është bllokuar nga sistemi një ditë pas hapjes së konkursit.

Në rektorat nuk kanë treguar për numrin e aplikuesve që e kanë paguar këtë tarifë.

Prorektorja për mësimdhënie dhe çështje për studentë, Mimoza Ibrani, ka thënë në emision “Sot” në KTV se në ditën e parë të konkursit kanë pasur rreth 2,300 aplikime online. E, maturantët që kanë bërë këtë pagesë nuk do të rimbursohen.

Në organizatën studentore “Reforma” kanë thënë se për këtë duhet të marrë përgjegjësi menaxhmenti i lartë i UP-së.

Oktaj Hasani, kryetari i kësaj organizate studentore, ka thënë se maturantët janë penalizuar nga neglizhenca e UP-së.

“Kritika këtu duhet t’i shkojë direkt rektorit, direkt menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës, për shkak se nuk kanë qenë të kujdesshëm për çështjen e konkursit të Universiteti të Prishtinës, ndonëse vazhdimisht organizata jonë ‘Reforma’ ka dërguar ankesa edhe në takime me rektorin”, ka thënë Hasani, i cili kërkoi që të rimbursohen kandidatët që kanë paguar për të aplikuar për statusin e studentit të UP-së.

Sipas konkursit të shpallur, 5,497studentë të rinj do të pranohen në Universitetin e Prishtinës, i cili i ka hapur dyert për regjistrim që nga 12 korriku. Afati fundit për aplikim është 19 korriku, ndërsa provimet pranuese priten të mbahen më 22 dhe 23 korrik.