Arbëri

Dy vota të AAK-së, përcaktuese për miratimin e Projektbuxhetit të Prishtinës për 2023-tën

Mbi 105 milionë euro është projeksioni buxhetor i Komunës së Prishtinës për vitin 2023, i cili u miratua gjatë së mërkurës nga Kuvendi Komunal.

Vota e dy asamblistëve të AAK-së shmangu zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal, që imponohen në rast të mosvotimit të buxhetit. Valbona Ajeti dhe Taulant Maxharraj mundësuan kuorumin dhe kalimin e kësaj pike të rendit të ditës, të cilën pjesa tjetër e opozitës e bojkotoi, shkaku që kryetari Përparim Rama refuzoi ta përmbushte kërkesën e tyre për ta hequr buxhetimin prej 12 milionë eurosh për Arkitektin e Qytetit.

E pyetur nga KOHA, Ajeti nuk komentoi arsyen pse doli kundër grupit parlamentar të partisë që i përket.

Para kuvendarëve të kryeqytetit, drejtoresha e Financave, Valbonë Makolli, arsyetoi projeksionet buxhetore.

Ndërsa, shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri, thotë se ky buxhet është ndërtuar në një frymë krejt ndryshe nga herët e kaluara.

“Është i ndërtuar në një frymë tjetër nga ata që kanë qenë më herët dhe uroj që të ndodhë edhe implementimi i tij ashtu siç është i planifikuar. Duke marrë parasysh dy vështirësi që na kanë përcjellë këtë vit siç është kriza ekonomike dhe energjetike dhe procedurat që kanë bllokuar shumë projekte, mendoj që kemi të parapara projekte konkrete në këtë buxhet”, tha Retkoceri.

Pas miratimit të buxhetit, opozita u kthye përsëri në Kuvend për të vazhduar me pikat tjera të rendit të ditës.

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal, ku është miratuar projektbuxheti, ka kaluar edhe korniza afatmesme buxhetore për periudhën 2023-2025, e po ashtu edhe vendimi për pagesën e shujtave për shërbyesit civilë të Komunës së Prishtinës.