Arbëri

Dushi ankohet për numër të vogël të inspektorëve në Prishtinë

Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi, ka thënë se numri i inspektorëve është shumë i vogël krahasuar me kërkesat dhe ankesat qytetarëve.

Sipas tij, disa nga ankesat e qytetarëve shtyhen për trajtim pikërisht për këtë çështje,

Dushi ka thënë se përkundër numrit të vogël të inspektorëve kanë arritur të bëjnë shumë aksione.

“Jemi të përkushtuar që me kaq kapacitete t’i përgjigjemi pozitivisht secilës kërkesë të qytetarëve. Qendrat të cilat i frekuentojnë një numër më i madh i qytetarëve janë liruar nga konstruksionet që janë vendosur pa leje. Ka qenë vendim i kryetarit që të gjitha konstruksionet pa leje në sheshet e Prishtinës dhe në platonë mbi kurriz të pastrohen. Lidhur me tarracën e hotelit ‘Swiss Diamond’ jemi në pritje të vendimit të komisionit”, ka thënë ai.

Dushi ka thënë se kanë filluar edhe me lirimin e trotuareve.

Ai ka thënë se ka pasur një fluks të ndërtimeve, duke shtuar se pjesërisht janë futur në kontroll.

Sipas tij, janë vetëm 8 inspektorë të ndërtimit, që mbulojnë gjithë Komunën e Prishtinës.

“Komuna nuk e ka asnjë rol në hapjen e bizneseve në pjesë të ndryshme. kemi hapje të lokaleve në zona të banimit dhe për mënyrën se si funksionojnë bëhen të bezdisshëm për banorët që jetojnë aty. Sikur kjo kompetencë të ishte e komunës së Prishtinës ne do të diktonim zonat më pak të banuara për t’u zhvilluar njw lloj i caktuar i biznesit. Ne edhe nw kwtw drejtim pa ndërprerë jemi duke u marrë me lloje të ndryshme të lokaleve. Ka aq shumë lokale në Prishtinë dhe aq pak inspektorë sa ndonjëherë mbetet ndonjë zonë pa u kontrolluar”, ka thënë ai.

Dushi ka thënë se nuk konsideron se duhet armë për t’u mbrojtur nga qytetarët e Prishtinës.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë me disa aksione që lidhen me lirimn e hapësirave, gjithashtu do të shikojnë edhe pjesën e ndërtimeve dhe inspektimin e rendit komunal.