Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi, ka paralajmëruar se në fazën e parë të zgjerimit të kapaciteteve synohet të angazhohen edhe 50 inspektorë në të gjitha sektorët.
I ftuar të premten në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, Dushi ka thënë se numri tentohet të rritet për shkak se aktualisht është i vogël, sikurse për inspektorët e komunikacionit (4), ashtu edhe në sektorin e ndërtimit (4).
“Numri i inspektorëve është përgjithësisht i vogël, edhe inspektorët e komunikacionit, por edhe në sektorin e ndërtimit. Kryetari Përparim Rama ka aprovuar kërkesën tonë për të rritur numrin e tyre për gjithë sektorët. Synojmë që në fazën e parë të angazhojmë rreth 50 inspektorë, do të kemi edhe të përkohshëm edhe me kontrata afatgjate”, ka thënë ai.
Dushi ka shtuar se gjatë qeverisjes së re në Komunën e Prishtinës, janë rrënuar pesë ndërtime pa leje.
“Kemi pasur rreth pesë rrënime të ndërtimeve pa leje, janë kryesisht rrënime të cilat janë zhvilluar në zonat më periferike të Prishtinës. Me gjasë fluksi i ndërtimeve është në këto pjesë kah ka edhe më shumë pjesë për të ndërtuar. Një rast ka të bëjë me tejkalim, ndërsa rastet tjera janë fillim i ndërtimit pa leje që nga fillimi. Ne synojmë të mos lejojmë ndërtime pa leje, këtë e kemi dëshmuar me disa rrënime që i kemi bërë deri tani”, ka thënë ai.
Derisa ka folur për aksionet që janë ndërmarrë në muajt e parë të qeverisjes me kryeqytetin, Dushi ka thënë se prioritet është lirimi i sheshit nga shitësit ambulantë, pastaj nga konstruksionet që kanë qenë të vendosura “dhe sheshin e kanë shndërruar në një tip tuneli”, lirimi i hapësirave mbi Dardani, dhe aksione të tjera që ndërlidhen me deponi të mbeturinave.
Edhe
Dushi: Sfidë mbetet numri i vogël i inspektorëve
“Përveç konstruksioneve që janë larguar bizneset e gastronomisë në shesh duhet të drejtohen në Komunë për të kërkuar leje për vendosjen e karrigeve dhe tavolinave dhe Komuna do të vendosë metrat katrorë që ata mund të shfrytëzojnë nga hapësirat e sheshit”, ka thënë ai.
Sipas Dushit, fluksi i denoncimeve, ankesave e kërkesave të qytetarëve ka shënuar rritje enorme që nga muaji janar.