Arbëri

Qehaja: Teposhtëza e nxënësve nis në klasën VI kur përgjegjësia e mësimdhënësve ndahet

Rinor Qehaja

Eksperti i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, ka thënë se teposhtëza e nxënësve nis kur përgjegjësia e mësimdhënësve ndahet, në klasën e pestë. 

“Një teposhtëze merret në arsimin e mesëm të ulët nga klasa VI deri në IX, në ciklin e ulët I-V padyshim vihet me në pah përkushtimi i një mësimdhënësi, ndoshta edhe pse si përgjegjësi e ka një individ me një grup të prindërve, një individ me një grup të nxënësve do të thotë e ka në vullnet të mirë gjithherë, në mëshirë të një mësimdhënësi ose mësimdhënëseje që është e përkushtuar nga klasa parë në të pestën, e jep në maksimum të kapaciteteve përkushtimin, kompetencën dhe një mësimdhënie cilësore”, ka deklaruar Qehaja në emisionin “Konfron” në KTV.

Sipas tij kjo përkeqësohet edhe më tej në shkollën e mesme.

“Teposhtëza merret kur fillon të shpërndahet përgjegjësia, kur nuk dihet kush është përgjegjës, kjo fillon nga klasa e gjatë në të nëntën, për t’u përkeqësuar tutje në shkollën e mesme”, është shprehur Qehaja.


Salihu: Kam pasur raste kur profesori ishte pedofil, kolegët e mbronin

Ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihu, ka treguar se ka pasur raste kur arsimtari ishte pedofil dhe disa kolegë e kanë mbrojtur. 

Salihu në “Konfront” të KTV-së ka thënë se ka raste të tilla dhe është tmerr. 

“Inspektim po, se disa arsimtarë duhet me i inspektuar patjetër se kanë dalë krejt prej...Unë kam pasur rast në Prishtinë që ka qenë tmerr. E kam pasur arsimtarin pedofil, është përjashtuar nga puna. Janë raste të izoluara, por ka plotë. Për fat të keq disa kolegë e mbrojnë që është katastrofë, pasi të gjithë kemi fëmijë”, ka thënë Salihu. 

Ai ka thënë se drejtorët e shkollave mundohen ta mbrojnë rrejshëm autoritetin e shkollës, por me atë shkaktojnë vetëm dëme. 

“Të mirat e të këqijat duhet të ndahen me publikun...Gjykata e kishte kthyer atë njeri në shkollë, por unë i thash sa jam drejtor s’do të punosh. Është dëshmuar se ishte pedofil”, tha Salihu.


Qehaja: Recensentët e teksteve shkollore të ndikuar nga grupet e interesit

Eksperti i çështjes së arsimit Rinor Qehaja thotë se recensentët e teksteve shkollore janë të ndikuar nga grupet e interesit. 

Qehaja në “Konfront” të KTV-së ka thënë se cilësia e teksteve shkollore nuk ka ndryshuar, pasi recensentët vazhdojnë të jenë të njëjtit. 

“Është përgjegjësi e shtetit me garantu cilësinë e teksteve shkollore. Ajo garantohet përmes recensentëve. Nuk është faji i shtëpisë botuese. Konkurron me autor që mund të jetë i mirë apo jo i mirë. Por, filtrimi duhet me ardhur përmes recensentëve...Nuk është rritur cilësia. Është ndryshuar mënyra e shpërndarjes së teksteve shkollore. Por, recensentët vazhdojnë të jenë të njëjtit, ata që na kanë miratuar të njëjtat tekstet shkollore. Janë ata të ndikuar nga grupet e interesit që ta lënë një tekst shkollor me shku deri në fund atje me shku me ato gabime dhe të meta”, tha Qehaja. 

Sa i përket kualitetit teknik të tekstit, ai ka thënë se në këtë aspekt shteti duhet të ndërhyjë. 

“Edhe teknikisht tekstet shkollore kanë mangësi në atë qëndrueshmërinë e duhur teknike. Gjithmonë shtëpitë botuese kanë shkuar me cilësinë më të ulët teknike, si të faqeve dhe krejt, qoftë në gram e kopertina e të gjitha. Kjo për me rritur marzhën e fitimit. E kuptoj logjikën e tyre biznesore. Për këtë arsye është shteti, që thotë ngadalë se janë këto kritere në peshë te tekstit, cilësi të letrës që duhet negociuar dhe prezantuar”, ka thënë Qehaja. 


Salihu: S'kemi qeveri, ndryshe do të kishte greva në arsim

Eksperti i çështjeve të arsimit Jonuz Salihu, ka thënë se po të kishte qeveri viti i ri shkollor do të niste me greva.

Ai në emisionin “Konfront” në KTV ka deklaruar se grevat më së shumti i prekin fëmijët.

“Gëzohem që nuk kemi qeveri sepse do të kishim greva, mirë që ka filluar viti pa greva, unë nuk i pëlqej grevat në arsim për arsye se me gjithë arsyetimit që e kanë për të bërë greva ato më se shumti i prekin fëmijët, prandaj do të duhej të gjendshin mënyra të tjera, jo të preken fëmijët nga pasojat që shkaktojnë grevat”, është shprehur Salihu. 

Ai ka thënë se sa u përket librave nga vitit 2008 ka qenë një sistem të etabluar dhe që ka funksionuar mirë. 

Sipas tij nuk është e arsyeshme që prindërit të presin me orë nëpër librari për t’i blerë librat, në vend se ato t’i gjejnë nxënësit në bankat e tyre.

Salihu ka theksuar se nuk ka pasur arsye që kjo të ndryshojë.

Ai ka përmendur edhe raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA), sipas të cilit rreth 60 mijë euro subvencione për libra në vitin 2024 kanë shkuar për persona që nuk kanë pasur fëmijë në shkollë. 

“Keqpërdorimi nuk është ndalur, buxheti nuk është kursyer, sepse këta flasin për kursim buxheti, buxheti është trefishuar a numri i nxënësve është përgjysmuar ... çdo vit ne pothuajse i kemi nga 10 mijë fëmijë më pak, e ne rrimë komod e merremi me mbledhje të kota”, është shprehur Salihu. 


Dragusha: Tekstet shkollore që MASHTI u referohet, të pakta dhe të papërdorshme

Besnik Dragusha nga Këshilli i Prindërve të Kosovës, ka thënë se ky është shtatori i tretë me radhë që temë kryesore është çështja e teksteve shkollore. 

Dragusha në “Konfront” të KTV-së ka thënë se është për keqardhje pasi duhej folur për problematika tjera si çështja e reformës në arsim, cilësisë së arsimit, për infrastrukturën në shkolla dhe po ashtu bullizmin në shkolla që është shqetësues. E po ashtu duhej folur për cilësinë e teksteve shkollore. 

Dragusha ka thënë se tekstet shkollore që nxënësit e klasave nga VI deri IX i kanë marrë nga shkollat kanë qenë të pakta dhe të papërdorshme. 

“Do të pajtohesha të përdoreshin tekstet e vitit paraprak, po të realizoheshin dy rrethana. Fletoret e punës të ishin të reja, që u sigurua këtë vit, por faktori i dytë të kishte komision vlerësues që do të shihte tekstet bazë në shkolla a janë në gjendje të mirë dhe a janë të mjaftueshme. Një pjesë e madhe e fëmijëve në shkolla, po flas për ciklin e shkollës së mesme të ulët nga klasa VI deri në klasën IX, tekstet që kanë marrë kanë qenë të papërdorshme apo të pamjaftueshme. Vajzës sime në klasë të VI i janë dhënë vetëm tri libra bazë nga shkolla dhe janë të papërdorshme”, tha Dragusha. 

Ministria e Arsimit në një postim në Facebook të mërkurën tha se nxënësit e klasave VI-IX nuk kanë nevojë të blejnë tekste shkollore, pasi ato bartën nga gjenerata e kaluar. 

"Menaxhimin e këtij procesi e ka bërë secila shkollë dhe, sipas raportimeve të komunave, ai është zhvilluar me sukses. Çdo detyrim i prindërve për të blerë tekste për nxënësit e këtyre klasave është i paligjshëm. Subvencioni prej 80 eurosh është i destinuar vetëm për blerjen e fletoreve dhe materialeve të tjera shkollore", tha MASHTI.