Kushtet e rënduara atmosferike në Komunën e Dragashit kanë detyruar Drejtorinë e Arsimit që të nxjerrë vendim për pezullimin e procesit mësimor gjatë ditës së enjte. Sipas njoftimit të Drejtorisë Komunale të Arsimit, të publikuar të mërkurën mbrëma, një gjë e tillë është bërë për të shmangur rrezikun për nxënësit që mund të paraqitet nga bora e erërat e forta, gjatë udhëtimit të tyre për në shkollë.
“Njoftohen të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e Komunës së Dragashit se për shkak të reshjeve të shumta të borës, erërave të forta dhe rrezikshmërisë që mund të hasin nxënësit gjatë udhëtimit për në shkollë, Drejtoria e Arsimit në Dragash ka marrë vendim që me datë 6.2.2020 të pezullohet mësimi. Dita e humbur do të zëvendësohet në një ditë të shtunë. Mësimi i rregullt vazhdon të premten me datë 7.2.2020”, thuhet në njoftimin e publikuar nga drejtori i Arsimit në Dragash, Vloran Cenaj, raporton “Koha Ditore”.
Më herët gjatë ditës, Komuna e Dragashit ka njoftuar se të gjitha rrugët në këtë komunë janë të kalueshme.
“Drejtoria për Shërbime Publike dhe Inspektorati, mëngjesin e sotëm kanë bërë të ditur se të gjitha rrugët në Komunën e Dragashit janë të kalueshme, edhe pse pati reshje të dendura bore. Operatorët e kontraktuar nga Komuna janë në terren dhe po e pastrojnë rrugën”, thuhet në njoftimin e Komunës së Dragashit.
-
Bora bllokon shumë rrugë në Dragash, banorët ankohen për moskujdes
-
Në Drenas shtyhet fillimi i procesit mësimor deri të mërkurën
-
Rastet e dyshuara me koronavirus, ndërpritet mësimi në një shkollë të Dragashit
-
LDK-ja në Kamenicë thotë se në qytet s’është dashur të pezullohet mësimi për shkak të motit
-
Arsimtari i dënuar nga gjykata për dhunë ndaj nxënësve kalon pa procedurë disiplinore