Lidhja Demokratike e Kosovës në Kamenicë e ka cilësuar si të paarsyeshëm një vendim që ka marrë kjo komunë për të mos zhvilluar proces mësimor në të gjitha shkollat e komunës për shkak të kushteve atmosferike.
Reshjet e fundit të borës kanë shkaktuar vështirësi sa i përket qarkullimit nëpër shumë lokalitete ndërkaq Drejtoria për Shërbime Publike deklaron se janë duke intervenuar në pastrimin e rrugëve. Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Mirhane Morina ka thënë se është vendosur për pezullimin e procesit mësimor sepse është paraqitur nevoja për një gjë të tillë.
“Për shkak të kombinimit të kushteve atmosferike dhe specifikave gjeografike, procesi mësimor është anuluar në gjithë territorin e komunës së Kamenicës. Probleme me qarkullimin nuk kanë pasur vetëm fshatrat malore por edhe ato që nuk bëjnë pjesë në këtë grup”, ka thënë ajo për Kohën Ditore.
Në anën tjetër, Zyra për Informim e Komunës së Kamenicës ka njoftuar publikun se kompania e kontraktuar është duke bërë pastrimin e rrugëve nga bora në shumë lokalitete.
“Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Ambient dhe Inspektorat, Ramadan Basha kanë mbikëqyrë punimet për largimin e borës nga kompania e kontraktuar në disa lokalitete. Që nga mbrëmë kompania e kontraktuar për kujdesin dhe pastrimin e rrugëve është në terren për të hapur rrugët lokale dhe ato rurale. Theksojmë se kompania për pastrimin e rrugëve do të vazhdojë punën e saj deri në largimin e borës nga të gjitha rrugët”. thuhet në këtë njoftim.
Edhe
Arifi nga fshati Gmicë e Kamenicës: Rruga në gjendje të rëndë, fëmijët nuk kanë shkuar në shkollë
Megjithatë, kryetari i degës së LDK-së në Kamenicë, Jeton Biçkaj, ka deklaruar se procesi mësimor është dashur që të zhvillohet në shkollat të cilat gjenden në qytet meqë ka pasur kushte për një gjë të tillë. Ai thotë se Drejtoria e Arsimit është dashur që të pezullonte procesin mësimor vetëm në ato shkolla ku konstatohet se nuk ka kushte për zhvillimin e procesit.
“Në qytet ka pasur kushte që të zhvillohet procesi mësimor sepse rrugët kanë qenë të hapura dhe nxënësit në mëngjes janë nis për në shkollë por janë kthyer mbrapsht meqë janë njoftuar se nuk mbahet procesi mësimor. Kurse në zonat malore gjendja ka qenë më e përkeqësuar dhe në bazë të informacioneve në disa fshatra përveç vështirësive në qarkullim ka pasur probleme edhe me rrymë. Vlerësojmë se nxënësit në qytet nuk është dashur që të humbasin një ditë dhe drejtoria është dashur që pjesërisht të pezullojë procesin mësimor”, ka thënë ai për Koha Ditore.