Arbëri

Doli: Kemi nevojë për më shumë trajtim profesional në parqe

Germia

Inxhinieri i pylltarisë, Asdren Doli, ka thënë se Kosova ka nevojë për më shumë trajtim profesional dhe të punësojë ekspertë të fushës për të kontrolluar gjendjen e parqeve.

Sipas Dolit, rëndësia e parqeve është vërejtur gjatë kohës së pandemisë.

“Rëndësinë e parqeve e kemi parë gjatë kohës së pandemisë. Parqet luajnë rol të rëndësishëm në heqjen e stresit të njerëzve. Në çdo iniciativë për rregullimin e parqeve, duhet të ketë edhe burime njerëzore të përfshira. Kemi nevojë më shumë për trajtim profesional, për ekspertë të fushës të punësuar në Agjencinë e Pyjeve, sepse pa burimet njerëzore nuk mund të arrijmë objektivat që dëshirojmë”, ka thënë Doli në emisionin “SOT” të KTV-së.

Për studimin që Doli e ka kryer për Parkun e Gërmisë, ka thënë se qytetarët janë të gatshëm të paguajnë për shërbimet rekreative, por duhet të rritet mirëmbajtja.

“Ndoshta mungesa e inxhinierit e bën të veten”, shtoi ai.

Doli ka thënë se Kosova ka nevojë për pyllëzim në zona rekreative, por jo në hapësira të mëdha, pasi sipas tij, vendi zë një sipërfaqe të madhe me pyllëzim.

“Duhet të ketë dy-tre roje të parkut 24 orë. Të ketë edhe gjoba mandatore për ata që ndotin parqet”, ka thënë ai.

Doli në fund tregon se ka rritje të ndërgjegjes qytetare karshi pyjeve.