Arbëri

Kastrati: Kosova është në pragun e stresit të ujit

Bashkim Kastrati

Bashkim Kastrati nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka thënë se bazuar në të dhëna 30 vjeçare, Kosova ka më pak reshje për 7.8 për qind. Në emisionin “Konfront” në KTV, Kastrati ka thënë se përmbytjet janë të dëmshme kur të reshurat vazhdojnë për ditë me radhë ose javë por sipas tij më shqetësuese është thatësira e cila vjen ngadalë.

Hidrologu Kastrati ka thënë se po të shikohen trendet për 50 vjet apo 100 vjetët e ardhshme atëherë kjo është alarmante sepse në Kosovë janë ngritur temperaturat.

“Në 10 vitet e fundit jam marrë me aspektet e ndryshimeve klimatike në Kosovë. Për të ditur klimën e një vendi duhet të kesh të dhëna 30 vjeçare, statistika e seri kohore për dy parametra kryesore; të të reshurave dhe temperaturave. Ne e dimë që rrafshi i Dukagjinit ka më shumë reshje. Në Lindje është minimumi i reshjeve. Në studimet e mia kam hasur që në 30 vitet e fundit Kosova ka më pak reshje për 7.8 për qind. Nëse i shikojmë trendet për 50 apo 100 vjet atëherë kjo është alarmante sepse temperaturat në Kosovë janë ngritë. Efektet në i vërejmë. Nuk i frikësohem shumë përmbytjeve sepse këto janë të dëmshme kur kalojnë për disa javë, ndërsa thatësirat janë më të rrezikshme sepse vijnë ngadalë. Uji është aset dhe Kosova është në pragun e stresit të ujit”, ka thënë hidrologu Kastrati.

Kastrati nga IHMK-ja, theksoi se vendet që kanë më pak se 1 mijë e 700 metra kub për kokë banori, llogariten se janë me stres uji dhe sipas tij “ne i kemi të shpërndara reshjet në mënyrë të pabarabartë në aspektin kohor dhe hapësinor”.


Humolli: Disa komuna morën mjete për t’i rregulluar shtretërit e lumenjve, por i prishën më shumë

Fitim Humolli, profesor i gjeografisë, ka theksuar se disa komuna kanë marrë mjete financiare nga Qeveria për rregullimin e shtretërve të lumenjve, por që i kanë prishur ata duke mos pasur asnjë ekspertizë.

Ai ka thënë se secila qeveri e ka parë të thjeshtë rregullimin e shtretërve të lumenjve, por se në të vërtetë më shumë i ka degraduar.

“Aq e thjeshtë mendohet të rregullohen shtretërit e lumit dhe kanë shkaktuar më shumë probleme qeveria te ne dhe Ministria e Mjedisit dhe disa komuna, disa prej tyre madje edhe kanë marrë buxhet prej ministrisë për t’i rregulluar shtretërit e lumenjve e i kanë prishë shtretërit e lumenjve. Kurrë në lumin Llap degradim më të madh të shtratit sesa në periudhën kur udhëhiqte Agim Veliu dhe kur pretenduan se po e rregullojnë shtratin e lumit nuk ka pasur”, u shpreh Humolli.


Nishori: Si është e mundur të vërshohet një autostradë? Huqje profesionale

Eksperti i ujërave, Avdullah Nishori, ka thënë se menaxhimi i situatës me vërshimet duhet të shihet në disa rrafshe. Megjithatë ai thotë se nuk mund të arsyetohet vërshimi i një autostrade.

Nishori në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se projektimi i një autostrade duhet të bëhet në të dhëna historike minimum 100 vjeçare, andaj sipas tij kjo është një huqje profesionale e cila nuk mund të arsyetohet.

“Çështja e menaxhimit duhet të shihet në disa rrafshe. Për ta menaxhuar situatën në rrafshin meteorologjik ose të parashikimit të hershëm që e bartë institucioni, pastaj problemi social apo vetëdija e qytetarëve për menaxhimin e burimeve ujore, mbeturinave etj. Pastaj çështjen e legjislacionit apo çështjet insitucionale dhe në fund vijmë te ajo që unë e quaj të integritetit profesional. Unë them si mundet që një inxhinier që merret me projektimin e një strukture siç është autostrada dhe autostrada pastaj vërshohet? Vështirë të arsyetohet se si një profesionist mund të bie në ndikimin e politikës ose ndikimin e efekteve të tjera përderisa ai bartë përgjegjësi. Të vërshohet një autoudhë është një huqje e madhe. Ajo duhet të dimensionohet në të dhëna historike minimum 100 vjeçare”, ka thënë Nishori.


Xhafa: Me këtë sasi të reshjeve s'do të duhej të kishim vërshime

Sokol Xhafa, profesor universitar në fushën e ujërave, ka thënë se me sasinë e reshjeve aktualisht nuk do të duhej të kishte përmbytje në Kosovë.

Ai ka theksuar se është një zinxhir shkaktarësh për vërshimet në vend.

“Me këto reshje që kemi dhe të kemi kaq shumë vërshime nuk është se i shohim çdo kund. Fatkeqësia është se që nga fillimi, aty ku fillon rrjedhja sipërfaqësore në zonat malore kemi prerje të egra të pyjeve, urbanizëm kaotik dhe infrastrukturë të zhvilluar që nuk i plotëson standardet as në fazë projektimi e aq më pak në fazë zbatimi në terren dhe pastaj vijmë deri te pjesë e vërshimeve. Nuk është normale që të shohim kaq shumë vërshime”, ka thënë ai në Konfront.

Xhafa ka shpjeguar tutje se si ndikon vetë njeriu në shkaktimin e vërshimeve.

“Si ndodh që gjithë kjo sasi të përfundojë në lumë është vetë ndikimi jonë. E marrim Prishtinën ose Fushë-Kosovën, apo të gjitha zonat urbane. Kemi një betonizim të hatashëm, ndërtime, zonat e gjelbra pothuajse po zhduken dita ditës. Në raste kur betonizimi, asfaltimi, janë të padepërtueshme nga uji të gjitha reshjet bien mbi to, kalojnë në tubacione, tubacionet shpejt përfundojnë në lumenj, kanalizimet shpejt përfundojnë në lumenj dhe lumenjtë fryhen. Gjithë ky kompleks, pastaj pasojat i shohim”, ka potencuar ai.


Humolli: Më shumë se natyrore, përmbytjet janë fatkeqësi humane

Profesori i gjeografisë, Fitim Humolli, ka thënë se në Kosovë asgjë nuk është e panjohur pasi sipas tij, më shumë se 40 vjet më herët janë njohur zonat të cilat janë me mundësi për tu përfshirë nga vërshimet.

Në emisionin “Konfront” në KTV, Humolli tha se ajo që po ndodhë aktualisht, më shumë është fatkeqësi humane sesa natyrore, marrë parasysh avancimin e teknologjisë dhe mundësitë që kemi për të parashikuar reshjet e dendura siç aktualisht i kemi.

“Për mua më shumë se fatkeqësi natyrore, kjo që po ndodhë me ne më shumë është fatkeqësi humane. Asgjë nuk ka të panjohur në Kosovë sepse 40 vjet apo 50 vjet më përpara janë njohur zonat problematike dhe me mundësi potenciale për vërshime e përmbytje. Me gjithë këtë teknologji e avancime hapësinore që i kemi në dispoizicion është mundësuar që ato të shihen e parashikohen më mirë. Megjithatë zonat janë të njohura. Në përgjithësi lumenjtë janë të varur me një regjim më shumë i reshjeve sesa nga ato të borës. Me ndryshimet klimatike, ne po shkojmë nga regjime hidrologjike të varura prej reshjeve sesa prej borës sepse ditët e borës po na zvogëlohen”, ka deklaruar Humolli.

Profesori Humolli, tha se ndryshimet klimatike të cilat kanë përfshirë edhe Kosovën, në të ardhmen do të sjellë padyshim fatkeqësi natyrore më shumë sesa kjo që e kemi tani.