Arbëri

DnV: Vonesat në numërimin e votave të kandidatëve janë të papranueshme

numerimi i votave

Foto: Driton Paçarada

“Demokracia në Veprim” (DnV) ka theksuar se procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit u cenua nga dështimi i sistemit elektronik të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për publikimin e rezultateve preliminare, duke e lënë publikun pa informata deri ditën e nesërme.

DnV ka thënë se vonesat në numërimin e votave të kandidatëve janë të papranueshme dhe dëmtojnë besimin në procesin zgjedhor.

“Procesi i numërimit të votave për kandidatët duhej të kishte filluar dje, të hënën në orën 08:00 të mëngjesit në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN). Megjithatë, për shkak të atyre që KQZ-ja i konsideron ‘probleme teknike dhe administrative’, ky proces ende nuk ka nisur deri në këtë moment. Vetëm sot, KQZ ka njoftuar se procesi do të fillojë në orën 16:00, por vetëm në katër komuna. Ky veprim është një improvizim që krijon përshtypjen se situata është nën kontroll, kur në fakt realiteti është ndryshe”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Demokracia në Veprim i bëri thirrje KQZ-së që pa vonesa dhe në mënyrë transparente të ndajë informacione për ecurinë e procesit të numërimit në QKN  dhe pranimin e fletëvotimeve nga jashtë përmes postës. Gjithashtu, ka kërkuar që KQZ-ja të angazhohet më intensivisht me të gjitha kapacitetet e saj, në mënyrë që të mos tejkalohen afatet ligjore dhe të mos krijohen vonesa që mund të ndikojnë në certifikimin e rezultateve.

“Duke mos i ndarë informatat me kohë dhe në mënyrë transparente, KQZ do të mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve në rezultatet e zgjedhjeve, gjë që është e papranueshme, sidomos pas një dite të zgjedhjeve demokratike”.