Edhe këtë vit, Dita e Mjedisit e gjen Kosovën me nivel të lartë të ndotjes së ambientit në përgjithësi. Aksione e veprime të shumta po ndërmerren për të ngritur vetëdijen qytetare, megjithatë mesa duket duhen veprime konkrete institucionale për ta përmirësuar gjendjen e mjedisit jetik në Kosovë. Sipas Raporteve prej Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, statistikat tregojnë për gjendje jo të mirë mjedisore, si pasojë e ndotjes së tokës, ujit dhe ajrit në vendin tonë, theksohet në komunikatën e organizatës Green Art Center (GAC).
Ndër të tjera, prej anës së Green Art Center (GAC) si organizatë e cila fokusin e saj e zhvillon në avokim mjedisor dhe përkrahje profesionale në implementimin e projekteve konkrete mjedisore. Në një prononcim prej Beu Muçaj ajo shprehet se duhet të punohet më shumë në drejtim të rritjes së vetëdijes qytetare për kujdesin ndaj mjedisit jetik, si edhe të zhvillohen plane e strategji konkrete kombëtare, të cilat harmonizohen me politikat dhe kapacitetet e institucioneve lokale për të marrë masa dhe zbatuar veprime që zbusin degradimin mjedisor në vendin tonë.
Sipas saj, përpos ndotjes së ajrit , ujërave dhe rrezikut që paraqesin në shëndetin e popullatës kjo ndotje, njëherësh vendi ynë përballet me ndotje të mëdha shkaktuar prej hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave si dhe mungesën e sistemeve që parandalojnë krijimin e deponive ilegale dhe njëherësh zhvillojnë ekonominë qarkore në nivel vendi. Sipas të dhënave prej raporteve të vitit të kaluar, Kosova regjistron mbi 2500 deponi të egra në territorin e saj, të cilat përpos së ndotin natyrën në tërësi, njëherësh japin pamje jo të mirë për vendin tonë.
Megjithatë Muçaj tregon se vullneti dhe veprimet në nivel lokal kanë përmirësim krahasuar me vitet e tjera , megjithatë duhet të krijohen zgjidhje institucionale që të kemi një mjedis të qëndrueshëm në nivel vendi.
GAC, në shënimin e kësaj ditë nën moton e këtij viti “Ta ruajmë natyrën”, synon që përmes aktiviteteve simbolike të aktivizojë komunitetin e gjerë dhe institucionet në nivel vendi për ndërmarrjen e veprimeve që ndikojnë në ngritjen e vetëdijes qytetare për ruajtjen e natyrës dhe mjedisit në përgjithësi.