Rruga “Dëshmorët e Gollakut” në Hajvali tash e një muaj është pa ndriçim. Ajo s’është e vetmja. Banorët e disa lagjeve në Prishtinë vuajnë nga i njëjti problem. Komuna e Prishtinës e ka arsyetuar mungesën e ndriçimit me mungesë të kontratës.
Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtim i ka thënë KOHËS, se çdo vit e ka planifikuar më kohë mirëmbajtjen e ndriçimit publik për të gjitha rrugët, mirëpo sipas saj, për shkak të procedurave të prokurimit ka pasur probleme të cilat kanë rezultuar në anulim të tenderit.
Udhëheqësi i sektorit për shërbime publike, Habib Qorri, ka thënë se problem kanë shkaktuar procedurat e prokurimit që kanë çuar në anulim të tenderit për mirëmbajtjen e ndriçimit publik. Ai ka thënë se pas anulimit, është rishpallur tenderi dhe kanë vazhduar procedurat përsëri, por se ende nuk ka kontratë. Projekti aktualisht është në fazën e ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Ai ka sqaruar për KOHËN se nënshkrimi i një kontrate pritet të bëhet brenda një kohë sa më të shkurtër.
“Për shkak të këtyre vonesave komuna ka zhvilluar procedurë për kontratë emergjente, të cilën presim ta kemi të nënshkruar brenda një kohe të shkurtër dhe me këtë do të kthejmë normalitetin me ndriçimin publik. Kjo nuk ka ndodhur për shkak të papërgjegjësisë së Komunës, por për shkak të procedurave që ne nuk kemi ndikim as kompetenca ligjore për t’i ndryshuar ato, prandaj ne jemi të obliguar të respektojmë vendimet e organeve kompetente për procedurat e prokurimit publik”, ka thënë ai.
“Për projektin e Mirëmbajtja e ndriçimit publik janë të planifikuara 150.000,00€, për 6 loto ku është i shtrirë rrjeti i ndriçimit në zone urbane dhe atë rurale,” ka përfunduar Qorri.