Edhe pse jo shumë larg nga qendra, një lagje e madhe me një numër të konsideruar të banorëve, duket që nuk e ka vëmendjen e drejtuesve të Komunën e Prishtinë. Bëhet fjalë për banorët në rrugën “Malush Kosova”, të Lagjes së Spitalit, të cilëve u mungon rruga, ndriçimi por edhe linja e autobusëve.
Punimet e ndryshme kanë dëmtuar rrugën, duke i shkaktuar vështirësi në qarkullim banorëve. Ata thonë se kanë bërë shumë kërkesa në komunë për problemet e tyre. Ndërkohë, përfaqësues të komunës kanë dhënë edhe disa lajme të mira për këtë lagje.
Shaban Majkofci, banor i kësaj lagje tha se rruga e paasfaltuar dhe mungesa e ndriçimit, po u shkakton probleme. Ai më tej njoftoi se nuk kanë informacione nga Komuna se kur pritet të rregullohen.
“Faktikisht po na shkakton pak probleme, por komuna është në dijeni se këtu kanë hyrë gypat e nxehjes qendrore, por kanë hyrë shumë me vonesë, kështu që koha si ka premtuar për ta rregulluar. Informacione kur pritet të rregullohen nuk kemi, mirëpo komuna është në dijeni. Probleme zakonisht që na shkaktojnë, po është çështja që kanë hyrë gypat shumë me vonesë të nxehjes dhe për ata është mbetur kësisoj”, tha Majkofci.
Ai po ashtu tha që edhe ndriçimi është pengesë.
Edhe
Prishtina pa zgjidhje për tollovitë në trafik
“Ndriçimi është pengesë por po e ndriçojnë lokalet këtej, se po është pengesë. Për ndriçim nuk di a kanë dijeni apo s’kanë komuna”, tha ai.
Arlinda Zenelaj, po ashtu banore e kësaj lagje, beson se komuna ende nuk është duke ndërmarrë asnjë veprim.
“Po, besoj që janë në dijeni, por nuk po ndërmarrin asgjë. Për neve është pengesë e madhe, po kalojmë me fëmijë kur po është koha shumë e ftoftë. Po na pengon shumë edhe komunikacioni është shumë i dendur dhe ndriçimi është shumë pengesë”, tha Zenelaj.
Ndërsa, Mehdi Makolli, tha se probleme kanë edhe me linja të autobusëve.
“Besoj që komuna deri në gjysmë të rrugës ka pas ndriçim, ai herë lëshohet, herë ka e herë s’ka kohë pas kohe. Këto më punimet i kanë marrë i kanë lënë kështu. Na shkakton me siguri, por kur ia vlen me pas punime që janë të rëndësishme, ia vlen në fillim të heqim pak, por ta lënë ashtu rrugën në gjysmë shkakton probleme, për vetura për këmbë, gjithçka. Ne më problem e kemi autobusin, ne s’kemi linjë këtu. Jemi sikur lagje e izoluar. Në Prishtinë për më shumë se një orë eci çdo ditë në mungesë të linjës së autobusit. 100 herë kanë bërë kërkesa”, tha ai.
Edhe
Komuna e Prishtinës del me sqarim për bllokimin e rrugëve
Sa i përket ndriçimit në këtë rrugë, Bashkim Sadiku, zyrtar i lartë për energjetikë në komunë, gjatë një mesazhi me shkrim, tha për KSP-në se do të realizohet në bazë të mundësive buxhetore.
“Ju njoftojë se rruga e cila nuk ka ndriçim do të realizohet në bazë të mundësive buxhetore me projektet në vazhdim. E njëjta është në listë”, tha Sadiku.
Krenar Xhaferi, drejtor i Investimeve Kapitale tha që janë në zhvillim të kontratës dhe që është përzgjedhur kompania për rregullimin e rrugës. Sipas tij, nga java e ardhshme do të fillojnë punimet në këtë rrugë.
“Realisht ne çdo ditë marrim kërkesa për prishjet e rrugëve, po ashtu edhe për rrugën ‘Malush Kosova’. Për rrugën ‘Malush Kosova’, jemi në proces të zhvillimit të kontratës, besoj javën tjetër fillojnë punimet në atë rrugë. Do të trajtohen të gjitha gropat dhe e gjithë rruga nga fillimi. Normalisht pjesët të cilat janë dëmtuar dhe do të trajtohet e gjithë rruga ‘Malush Kosova’, është përzgjedhur kompania dhe besoj javën tjetër veç fillojnë punimet, me fillimin e sezonës së punimeve në Prishtinë”, theksoi Xhaferi.
Edhe
Banorët ankohen për zvarritje punimesh në qendër të Prishtinës
Ndërkaq, Habib Qorri, udhëheqës i sektorit për shërbime publike tha se linjat do të dizajnohen duke u bazuar në infrastrukturën rrugore, kërkesat dhe nevojat e qytetarëve për t’iu ofruar shërbimin e transportit, megjithatë, nuk ka treguar saktësisht nëse do të ketë transport publik në këtë rrugë.
“Sipas planit të tanishëm për linjat e transportit publik të udhëtareve, linja ka qenë deri në rrugën ‘Holgen Petersen’. Kurse me planin e mobilitetit ku është i planifikuar edhe riorganizimi i transportit publik të udhëtareve është i planifikuar ridizajnimi i linjave në territorin e qytetit të Prishtinës, ku përshihen të gjitha lagjet. Prandaj edhe linjat do të dizajnohen duke u bazuar në infrastrukturën rrugore, kërkesat dhe nevojat e qytetareve për t’iu ofruar shërbimin e transportit”, tha ai. /KSP