Dy ditë pas hapjes së mundësisë së aplikimit nga Ministria e Arsimit për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore, janë shprehur vërejtje për mangësi në planifikimin e kësaj platforme. Disa prindër thanë se nuk kanë mundur të aplikojnë për fëmijët që janë regjistruar në klasë të parë por që ende nuk i kanë mbushur 6 vjet. Ankesa pati edhe nga prindërit që i kanë fëmijët në klasë të pestë e që janë mbi 11 vjeç. E në drejtori komunale të arsimit thanë se ka prindër që nuk dinin si ta përdornin platformën
Rreth 50 euro kushtojnë librat që u nevojiten nxënësve të klasës së parë, ndërsa deri në 60 euro ato për klasën e pestë, pa përfshirë tekstet e gjuhës angleze, bazuar në çmimet e publikuara në katalogët e shtëpive botuese.
Sivjet, për të parën herë pas 15 vjetësh, prindërit do të jenë përgjegjës për blerjen e librave, me mjetet që do t’u deponohen nëpër xhirollogaritë bankare nga shteti, pas aplikimit në linkun për subvencionim në platformën E-Kosova.
Por dy ditë pas hapjes së platformës nga Ministria e Arsimit, u adresuan ankesa për mangësi në planifikim. Disa prindër thanë se nuk kanë mundur të aplikojnë për fëmijët që janë regjistruar në klasë të parë por që ende nuk i kanë mbushur 6 vjet, pasi që në link parashihet subvencionimi me 80 euro për moshat nga 6 deri në 11 vjeç. Ankesa pati edhe nga prindërit që i kanë fëmijët në klasë të pestë e që janë mbi 11 vjeç.
Por krahas kësaj, në drejtoritë komunale të arsimit u shprehën edhe ankesa se prindërit kanë paqartësi rreth mënyrës së aplikimit, shkaku i mungesës së njohurive se si ta përdorin platformën.
“Gjatë ditës së djeshme kur edhe zyrtarisht ka filluar aplikimi, kemi pasur një numër të madh të prindërve që kanë frekuentuar drejtorinë komunale të arsimit, sepse mendonin që duhet të vinin aty që ta kryejnë aplikimin për rimbursim”, ka thënë Avni Morina, drejtor i Arsimit në Komunën e Rahovecit.
E ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, e konsideron këtë formë të blerjes së librave si të ndërlikuar.
“Akoma nuk është e qartë nëse dhe në ç’mënyrë do të bëhet verifikimi i aplikimeve. Që të shmangen keqpërdorimet eventuale, siç është aplikimi për fëmijë që nuk jetojnë në Kosovë ose fëmijë që nuk vijojnë shkollimin. Po ashtu, duhet menduar për nxënës që vijojnë mësimin në shkolla të Kosovës dhe nuk janë shtetas të Kosovës, prindërit e të cilëve nuk mund ta shfrytëzojnë sistemin eKosova”, ka thënë Pupovci.
Ndryshe prej nxënësve të klasave nga e para në të pestën, ata nga klasa e gjashtë deri në të nëntën do të subvencionohen me nga 30 euro, e do të funksionojnë me librat e gjeneratës së kaluar.
Vendimi për subvencionim u mor 10 ditë para nisjes së procesit mësimor, kur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, njoftoi se ka dështuar të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese, të cilat i akuzoi për ofertim me çmime shumë më të larta se vlera prej 4.5 milionë eurosh sa ishte paraparë për tender.
Ministria gjatë javës nuk ka treguar se sa është numri total i nxënësve që do të përfitojnë nga subvencioni prej 80 eurosh. Por sipas të dhënave të lindjeve në Agjencinë e Kosovës për Statistika, janë diku rreth 110 mijë nxënës në nivelin fillor, për të cilët do të nevojiteshin rreth 8.5 milionë euro.