Arbëri

Disa ndërmarrje ankohen se nuk u përfshinë në Pakon Emergjente, pavarësisht se punën nuk e ndalën

Gjendja e krijuar shkaku i koronavirusit, sipas kryeshefit ekzekutiv të kompanisë së pastrimit ‘”Ambienti’’ nga Peja, Nexhat Abdullahu, ka rënduar punën e tyre në terren.

Ai ka thënë se po ndihen të indinjuar pasi Ekzekutivi nuk i futi punëtorët e këtyre kompanive në pakon emergjente.

Gjatë së premtes drejtuesit e këtyre kompanive përmes një konference për media shfaqën pakënaqësitë e tyre duke e quajtur fyerje mospërfshirjen e tyre, raporton KOHA.

Ndërkohë kryeshefi i kompanisë “Ekohigjiena’’ nga Gjilani, Senad Rama, ka thënë se futja e kompanive të pastrimit në këtë pako mundëson vazhdimin e punës së tyre në kushte normale.

Ai tha se shkaku i krizës aktuale ata janë duke punuar me humbje, ndërsa shtoi se atyre do t’iu duhet të marrin masa për të përballuar krizën ekonomike.

Derisa sipas kryeshefit të kompanisë “Pastërtia” në Ferizaj, Dugagjin Etemi, shqetësim tjetër i tyre është operimi në zonat ku tashmë ka të prekur dhe mospajisja adekuate e punëtorëve me masa mbrojtëse.

Që prej përhapjes së pandemisë në Kosovë, Qeveria në detyrë ka marrë masa për luftimin e këtij virusi përmes hartimit të pakos emergjente ku synohet ndihma ndaj të gjitha bizneseve dhe ndërmarrjeve të rrezikuara.

Megjithëse nga Qeveria nuk është dhënë sqarim specifik për përfshirjen e kompanive dhe punëtorëve të pastrimit në këtë pako.