Arbëri

Disa familje sociale në Lipjan akuzojnë institucionet për mospërfshirje në pakon emergjente

Foto: KOHA

Komuna e Lipjanit dhe Qendra për Punë Sociale gjatë kohës së pandemisë kanë shpërndarë qindra paketa ushqimore dhe higjienike për familje skamnore dhe familjet në asistencë sociale, mirëpo një varg prej tyre janë anashkaluar në këtë projekt.

Në këtë mënyrë familja tetë anëtarësh e Naser Bytyqit nga Lipjani po ndihet e diskriminuar derisa ka kërkuar disa herë në institucionet përkatëse për të marrë pako ushqimore dhe higjienike në këtë kohë të pandemisë, mirëpo deri tash nuk ka marrë asnjë mbështetje.

Madje, sipas Bytyqit edhe gjatë së mërkurës QPS-ja ka shpërndarë pako për familjet sociale në lagjen e tij, mirëpo sërish është diskriminuar, transmeton KOHA.

“Kam kërkuar disa herë që edhe ne si rast social ta përfitojmë ndonjë pako sikur të tjerat familje, mirëpo nuk e di pse nuk po më përkrahin. Edhe sot në lagjen tonë QPS-ja i ka sjell disa pako për familjet në asistencë sociale mirëpo mua nuk më kishin futur në listë megjithëse jam rast social dhe jemi 8 anëtar”, ka thënë Bytyqi.

Po ashtu para pak ditësh, edhe Afrim Arifi nga Lipjani në një deklarate për Kohën pati kritikuar institucionet për mosmbështetje me pako ushqimore.

“Kam ardhur te QPS-ja për të kërkuar gjëra ushqimore, mirëpo këtu po thonë se nuk kemi. Mua nuk më kanë sjellë asgjë. Nuk po kërkojmë para, por ushqim për familjen”, pati thënë Arifi.

Ndërkohë të mërkurën nëpërmjet një komunikate ka reaguar edhe subjekti opozitar PDK, dega në Lipjan duke kërkuar nga KK-ja të ndajë edhe 150 mijë euro shtesë për t’i ndihmuar familjet skamnore.

“Kjo kërkesë vije duke u bazuar në ankesat e disa prej familjeve të cilat janë anashkaluar nga pakoja e parë emergjente e cila pako emergjente ka qenë e pa mjaftueshme në krahasim me kërkesat e familjeve që kanë nevojë. Andaj duke parë se dita e ditës po vështirësohet jeta e qytetareve tanë, ne PDK kërkojmë që sa ma shpejtë të ndahen këto mjete financiare dhe të krijohet një komision i veçantë nga asamblistët e kuvendit Komunal për ndarjen e kësaj pakoje financiare”, thuhet midis të tjerash në komunikatën e PDK-së.

Sipas PDK-së, ky komision duhet ta bëjë ndarjen e kësaj pako financiare në mënyrë sa më të drejtë dhe transparente duke mos vepruar sikur në pakon e parë për t’i mbështetur familjet mbi bazë të ngjyrimeve politike.