Arbëri

“Dhuna e profesorit” bën që tash dy muaj nxënësit ta bojkotojnë orën e biologjisë

Për më shumë se dy muaj, nxënësit e klasës XI-9 të gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj, e kanë bojkotuar orën e Biologjisë, me arsyetimin se mësimdhënësi i lëndës, Mejdi Musliu, ka ushtruar dhunë psikike e fizike ndaj tyre.

Për këtë arsye janë ankuar edhe prindërit e nxënësve, duke kërkuar largimin e mësimdhënësit nga kjo klasë, raporton KTV.

Por, mësimdhënësi, Mejdi Musliu, i cili po akuzohet nga nxënësit, thotë se arsyeja e bojkotit që po i bëhet nga nxënësit është një çamçakëz.

Ai thotë se e ka lutur nxënësin A.K që ta largojë çamçakëzin nga goja, pasi po e pengonte dhe pas refuzimit e ka larguar prej orës.

Musliu thotë se është i rreptë gjatë orës mësimore në kuptimin që kërkon qetësi dhe nuk vë nota pa meritë, kurse prindërit këtë po ia marrin për të keq.

Në një email që ka ardhur në redaksinë e KTV-së, prindërit akuzojnë edhe drejtorin e kësaj shkolle, Enver Azemin, se i ka kërcënuar nxënësit me suspendim nga procesi mësimor nëse vazhdojnë të ankohen.

Por, këtë e mohon drejtori Enver Azemi. Sipas tij, as ai vetë, por as mësimdhënësi Mjedi Musliu, nuk kanë ushtruar kurrfarë dhune ndaj nxënësve.

Në anën tjetër, prindërit këtë rast e kanë paraqitur edhe në Polici.

Toger Basri Shabani, ka konfirmuar se Policia e ka trajtuar çështjen, por meqë nuk ka ndonjë element të veprës penale me këtë problem do të merret Drejtoria e Arsimit e komunës së Ferizajt.

KTV-ja ka provuar të kontaktojë edhe prindërit që i kanë bërë këto akuza, por përveç emailit me shkrim, nuk kanë lënë ndonjë kontakt tjetër.