Arbëri

Profesoresha e matematikës bojkoton mësimin - proteston për gjendjen e rëndë në gjimnazin e Ferizajt

Zojë Lohaj-Konjufca, mësimdhënëse e lëndës së matematikës ka marrë vendim të bojkotojë punën në gjimnazin “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj deri në rinovimin e objektit, që ka nisur tash e katër vjet. Por, sipas zyrtarëve komunalë, ajo e ka dhënë dorëheqje dhe për të është hapur konkurs. Me apo pa profesoreshën Lohaj-Konjufca, nxënësit në këtë gjimnaz mësojnë në objektin me mure të mykura, tavane të demoluar dhe me dyert e dritaret e thyera

Në hapësira me mure të mykura, me tavan të demoluar, pa dyer e me xhama të thyer të dritareve, që paraqesin rrezik edhe për kalimtarët, nxënësit e gjimnazit “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj vijojnë rrugëtimin e tyre për të fituar njohuri.

pasojë e vjetërsisë i gjithë objekti kundërmon. Tualeteve u mungojnë dyert, nyjat sanitare janë të demoluara, e disa ta pashfrytëzueshme.

Disa nga nxënëset kanë treguar se kanë dy vjet që janë në këtë shkollë dhe asnjëherë nuk i kanë shfrytëzuar tualetet nga frika se mund të infektohen.

Nxënësi në klasën e njëmbëdhjetë, Edmond Miftari, ka thënë se gjendja infrastrukturore është duke i penalizuar në fitimin e shkathtësive të duhura, meqë disa orë mësimore, sipas tij, nuk mbahen.

“Ka qenë klasa e dhjetë vjet të cilën nuk e kemi mbajtur asnjë orë të edukatës fizike, ka pasur raste kur ora e muzikës nuk është mbajtur asnjëherë. Do të thotë shumë herë ka ndodhur që kabinetet tona janë shndërruar në diçka krejtësisht tjetër”, ka treguar ai.

Ora mësimore në këtë gjimnaz zgjat vetëm 30 minuta.

“Nuk është e mjaftueshme se ne kemi nevojë pak edhe për përsëritje të njësive mësimore, e nganjëherë edhe të zhvillojmë ndonjë aktivitet si pjesë të asaj njësie. Tani për tani vetëm dëgjojmë mësimdhënësen tek e shpjegon njësinë”, ka treguar 16-vjeçari.

E në ditët kur temperaturat shënojnë rënie, mbajtja e procesit mësimor bëhet edhe më e papërballueshme. Drejtoresha e gjimnazit që numëron mbi 1400 nxënës, Hajrije Nebihu, ka thënë se për këtë prindërit kanë shprehur shqetësime të shumta.

“Shqetësime ka pasur vazhdimisht, sidomos ditëve të dimrit ne i shkurtojmë orët, jo për shkak të ngrohtores pasi është funksionale, por dritaret janë të demoluara. Ka shumë ftoftë”, ka thënë ajo.

Një mësimdhënëse në këtë shkollë ka bojkotuar procesin mësimor që nga e premtja. Zojë Lohaj-Konjufca ka thënë se këtë vendim e ka marrë si shenjë proteste për gjendjen e dhomave mësimore, pasi, siç ka theksuar, ka rrezik edhe të shembjes.

“Nëpër shtete të ndryshme të Evropës dhe Amerikës mos të flasim Japoninë bëjnë robotë, e ne nuk kemi as ambient me mbajt mësimin pasi pikë uji kur bie shi. Objekti paraqet rrezik, mund të shembet e gjithashtu mund t’iu shkaktojë probleme shëndetësore”, ka thënë ajo. “Këtu nuk jemi duke fol vetëm për 1400 nxënës, por edhe për gjeneratat që kanë qenë këtu. Plus stafi që qëndron aty për një kohë më të gjatë”, ka shtuar mësimdhënësja.

Profesoresha e lëndës së matematikës ka thënë se nuk do të kthehet derisa të rifillojnë punimet për ndërtimin e objektit të ri për gjimnazin.

“Unë e bojkotoj (procesin v.j.) derisa të fillojë plotësisht objekti i ri. Se po flitet që drejtori ka thënë ‘i ndërtojë disa dhoma qaty’ dhe kishe po ia fillojmë mësimit, por me dy dhoma nuk fillon mësimi. Derisa të ndërtohet krejtësisht e të krijohen kushtet”, ka thënë Lohaj-Konjufca.

Kjo mund t’i kushtojë me humbjen e vendit të punës. Këtë e ka konfirmuar drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani. Ai tregoi se është hapur konkurs për pozitën e saj.

“Profesoresha e nderuar ka dhënë dorëheqje. Ajo i ka dy deklarata. Një që e ka dërguar te një zyrtare imja, ku ka ofruar dorëheqjen dhe e ka një deklaratë me shkrim ku e ka bërë publike në rrjete sociale, me të cilën ka thënë se do të tërhiqet nga procesi mësimor deri në rregullimin e kushteve, por kjo nuk funksionin kështu”, ka thënë Llabjani.

Objekti i ri i gjimnazit ka filluar të ndërtohet në vitin 2018. Sipas zyrtarëve të Komunës, punimet janë ndërprerë disa herë për shkak të pandemisë dhe së fundi pas vendimit të Qeverisë që disa prona komunale të kthehen tek Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Llabjani ka thënë se në fund të janarit nxënësit do të dalin në objektin e ri.

“Deri para dy javësh e kemi pasur të pamundur të rinisim punimet, derisa kemi arritur marrëveshje me AKP-në për pronën. Kemi biseduar me operatorin ekonomik dhe javën e kaluar i kanë filluar punimet”, ka thënë ai.

Profesoresha Lohaj-Konjufca është skeptike që punimet do të përfundojnë në janar.

“Nuk e kanë nisë me të vërtetë, veç e kanë çu një buldozer qaty sa me kap kamerat. Nëse e kanë me të vërtetë me i përfundu deri në janar, atëherë kishin angazhu më shumë. Ai është objekt shumë i madh dhe nuk kryhet me dy punëtorë, por duhen disa kompani të punojnë përnjëherë”, ka thënë ajo.

Në objektin e tanishëm, gjimnazi “Dr. Shaban Hashani” zhvillon procesin mësimor tash e katër vjet. Më herët atë e kanë shfrytëzuar nxënësit e shkollës fillore “Gjon Serreçi”. Për shkak të hapësirave të rrezikshme, Komuna mori vendim para katër vjetësh që këto dy institucione t’i ndërrojnë mes vete objektet. Tani filloristët mësimin e mbajnë në objektin, i cili është rreth 200 metra larg nga ish-godina e tyre.

Lohaj-Konjufca ka thënë se që kur janë shpërngulë, në objekt nuk ka pasur intervenime për përmirësim të infrastrukturës.

E drejtori i Arsimit ka thënë se e kanë pasur të pamundur të nisin me renovime në shkollë, pasi sipas tij, objekti është përfshirë në kuadër të aseteve të Mbrojtura të Trashëgimisë Kulturore.

“Ne bëjmë intervenime të vogla, por nuk mund ta rinovojmë pasi është në përgjegjësinë e Ministrisë së Kulturës. Ata janë duke bërë matje të fizibilitetit për të planifikuar rregullimin e shkollës, e cila tani është në kuadër të Trashëgimisë Kulturore”, ka thënë Llabjani.