Arbëri

Dhjetëra holandezë certifikohen në Qendrën e Trajnimit të FSK-së

Një grup i kërkim-shpëtimit nga Holanda, të premten përfundoi trajnimin në Qendrën e FSK-së. Pjesë e certifikimit të tyre, ishin krerë të lartë institucionalë. Drejtuesit e kësaj qendre trajnimi synojnë që atë ta ngritin në nivel botëror, e për këtë premtim iu dha edhe nga Qeveria e Kosovës

Qendra e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është bërë adresë e trajnimit për dhjetëra shtete të botës. Në një perimetër prej qindra metra katrorësh, në këtë qendër, mund të simulohen fatkeqësi nga më të ndryshmet, nisur prej tërmeteve e deri te aksidentet më të rënda si ato të trenave e helikopterëve.

Të premten, në këtë qendër, trajnimin e përfunduan dhjetëra pjesëtarë të një grupi të kërkim-shpëtimit nga Holanda. Me këtë rast, një vizitë kësaj qendre iu bë nga drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e komandantit të FSK-së, Bashkim Jashari, një nga një iu prezantuan pajisjet që kanë në posedim, e iu demonstruan situata të deminimit, pastrimit të terreneve nga mjetet shpërthyese e lëndët e rrezikshme, largimi i viktimave nga ndërtesat e shkatërrua prej tërmeteve e prej vërshimeve, si dhe veprime tjera. Drejtuesve të ushtrisë me këtë rast iu kërkua ndihmë në ruajtjen e avancimin e kapaciteteve që posedojnë.

“Nevojë është kryesisht zëvendësimi i pajisjeve dhe servisimi i tyre për shkak se shumë prej pajisjeve e arrijnë jetëgjatësinë e vet… Zëvendësimi i këtyre pajisjeve që të përgjigjen nivelit të detyrës na kishte ndihmuar pa masë”, ka thënë Petrit Loxha, komandant në FSK.

Drejtori i qendrës, John Doone, tek prezantoi simulimet e situatave nga fatkeqësitë natyrore ka thënë se si qendra e FSK-së nuk ka në Evropë.

“Jemi shumë, shumë afër që të bëhemi numri një në botë…”, tha ai.

Sipas tij, në këtë qendër mund të simulohen të gjitha fatkeqësitë “që mund të imagjinohen”.

“Ekipe nga e gjithë bota mund të trajnohen për përplasje të trenave, të helikopterëve, tërmetet…mund ta bëjmë të gjithë këtë”, ka deklaruar ai.

Doone ka thënë se suksesin e qendrës e kanë arritur për shtatë vite.

“Unë parashikoj që brenda tre vjetëve mund të bëhemi më të mirët në botë”.

Përkrahje për ta arritur këtë synim ofruan nga Qeveria. Ministri Maqedonci ka thënë se secilën kërkesë të kësaj njësie e trajtojnë me seriozitet.

“Të gjitha këto pajisjet që i patë janë ndër pajisjet më moderne që mund t`i ketë ndonjë njësi e kërkim shpëtimit jo vetëm në Evropë por edhe në botë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, ndër prioritetet e ministrisë që drejton është ndërtimi e përditësimi i kapaciteteve të Qendrës për Trajnimin e Kërkim-Shpëtimit.

Punën që bëhet në këtë qendër nga afër nuk e pa kryeministri Albin Kurti. Por, paraprakisht ai mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të trajnimit të rreth 100 pjesëtarëve të kërkim-shpëtimit nga Holanda. Ai ka shprehur synimin për të ardhmen e Qendrës së Trajnimit në Pomozotin e Fushë-Kosovës.

“Ambicia jonë është ta ngremë këtë qendër në një Qendër të njohur Ekselence, duke u shërbyer partnerëve tanë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe komunitetit më të gjerë global”, tha Kurti.

Kreu i qeverisë ka përmendur edhe punën që e ka quajtur heroike të anëtarëve të ekipit të Kosovës të Kërkim-shpëtimit në Turqi.

“Ata ishin ndër të parët ndërkombëtarë që iu përgjigjën tërmetit shkatërrues në Turqi në fillim të këtij viti, siç ishin shumë kolegë tanë nga Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar të pranishëm në këtë dhomë”, ka theksuar Kurti. “Qëllimi ynë kryesor strategjik është të përparojmë drejt dhe të realizojmë vizionin tonë euroatlantik. Bërja anëtare e Bashkimit Evropian dhe e aleancës së NATO-s është thelbësore për aspiratat tona. Qendra ku jemi tani është një shembull i mrekullueshëm dhe i prekshëm se kush jemi, çfarë përfaqësojmë si dhe përkushtimin tonë të qëndrueshëm”.

Me punën që janë duke e bërë në këtë qendër, nga FSK-ja kanë thënë se janë duke shpaguar investimin e bërë nga ndërkombëtarët.

“Aspektin e konsumimit deri tash, qoftë të sigurisë, qoftë të trajnimeve që e kemi marrë nga shtetet partnere jemi duke punuar fuqishëm që këtë konsumim që e kemi pas deri tani ta kthejmë për partnerët tanë”, ka thënë Naim Haziri, komandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së.

Mbajtja e trajnimeve në qendrën e FSK-së u vlerësua edhe nga zëvendësambasadori i Holandës në Kosovë, Ronald Goldberg. Ai ka deklaruar se angazhimet e tilla janë e vetmja mënyrë që ekipet të jenë të përgatitura për fatkeqësitë çfarë do qofshin ato.

“Është shumë i dobishëm për bashkëpunimin në të ardhmen. Fatkeqësisht, kam frikën që do të ketë fatkeqësi, ju kurrë nuk e dini se kur dhe ku dhe është mirë që të jemi të përgatitur”, është shprehur Goldberg.

Vitin e kaluar në këtë qendër janë ofruar trajnime për afër 3 mijë persona, në mesin e të cilëve edhe nga Shqipëria, Britania e Madhe, Italia, Hungaria, Jordania, Malta, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut, Portugalia e Turqia.

Qendra e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës është përuruar në shtator të vitit 2016.