Arbëri

Dhëndri i Haradinajt degradohet nga pozita e drejtorit financiar në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore

Liridon Dervishaj është degraduar në pozitë përbrenda Fondit të Sigurimit Shëndetësor, duke u caktuar në detyrën e zyrtarit të logjistikës nga ajo e drejtorit të Financave, ka mësuar KOHA.

Dervishaj është burri i motrës së ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj. Ai ishte emëruar drejtor i Financave në këtë fond më 2017, në kohën kur lideri i AAK-së ishte kryeministër.

Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se me anë të një vendimi të marrë më 20 janar, Dervishaj do ta vazhdojë punën si zyrtar i logjistikës në FSSH.

Vendimi për degradim është arsyetuar me mosdeklarimin e saktë të borxheve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Në arsyetim është përmendur konstatimi i vitit të shkuar i Ministrisë së Financave për “mospërputhshmëri, si pasojë e mosraportimeve të detyrimeve kontigjente nga ana e Fondit për Sigurim Shëndetësor që rrjedhin nga zbatimi i Programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike”. Në këtë konstatim është theksuar se borxhi i paraportuar është vlerësuar të jetë mbi 31 milionë euro.

Derivishaj, i kontaktuar nga KOHA të shtunën në mbrëmje, ka thënë të mos jetë “shkarkuar” dhe se “vazhdon të jetë pjesë e Fondit”.

Vitin e shkuar KOHA me një seri shkrimesh, të bazuara në dokumente zyrtare, ka raportuar për shumë keqpërdorime në fond, në lidhje me referimin e pacientëve për shërim jashtë vendit. Seria pasoi me shkarkimin e menaxhmentit. Përderisa menaxhmenti i shkuar thoshte që borxhi është rreth dy milionë euro, drejtori i ri ka konfirmuar që borxhi i këtij fondi karshi spitaleve private arrin në rreth 30 milionë euro.