Arbëri

Dështon seanca gjyqësore në rastin e 53-milionëshit, gjyqtari në trajtim mjekësor

Për shkak se anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismaili gjendet në trajtim mjekësor, ka dështuar të mbahet seanca e së hënës në rastin e 53 milionë eurove.

Në këtë rast, ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtori i Prokurimit Publik në MI, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatëses Namani, i njëjti ka njoftuar paraprakisht udhëheqësin e departamentit se për shkaqe shëndetësore nuk mund të prezantojë.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme u shty, dhe po ashtu seanca e planifikuar për 16 maj është anuluar.

Në këtë seancë ishin të pranishëm edhe Bedri Hamza dhe Fitim Krasniqi, të cilët kanë qenë të planifikuar të dëgjohen sot në cilësi të dëshmitarëve.

Kurse, seancat e radhës u caktuan me 12, 13, 14 dhe 17 korrik 2023.

Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

Ndërsa, më 19 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Afera e pagesës së 53 milionë eurove shtesë në emër të vonesave për konsorciumun “Bechtel-Enka”, që ka ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”, është një nga aferat më të diskutuara në Kosovë.

Më shumë se dy vjet me parë KOHA pati siguruar një raport të kompanisë “Hill”, e cila ishte e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për mbikëqyrjen e ndërtimit të kësaj autostrade. Sipas dokumentit, detyrimi monetar në raport me “Bechtel-Enkan” ishte 14 milionë euro. Por, Lekaj nuk e kishte prezantuar zyrtarisht në Qeveri e në mungesë të tij Ekzekutivi e kishte aprovuar pagesën prej 53 milionë eurosh shtesë për kompaninë që e ka ndërtuar autostradën.