Është ndërprerë sapo ka nisur rigjykimi i ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe ish-zyrtarëve të kësaj ministrie, Eset Berisha, Nebih Shatri e Besim Tahiri, në rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Avokatja Teutë Xhema, e cila mbron të akuzuarin Berisha, ka parashtruar kërkesë për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra nga kjo çështje. Në arsyetim, avokatja Xhema u shpreh se gjyqtarja nuk është e paanshme. Pas kësaj, seanca u ndërpre deri në një vendim të kryetares së Gjykatës.
Rasti i njohur si “53-milionëshi”, ku Pal Lekaj dhe tre ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës ishin gjetur fajtorë, do të trajtohet sërish nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Nga shkalla e parë, katër të akuzuarit ishin gjetur fajtorë, por në shkurt të këtij viti Apeli ktheu rastin në rigjykim, me arsyetimin se në aktgjykimin dënues gjeti gabime në procedurë dhe vlerësim të provave.
Në janar të 2024-tës, kur Pal Lekaj me bashkëpunëtorë u shpallën fajtorë, pjesë e trupit gjykues ishin Violeta Namani-Hajra, Vesel Ismaili dhe Musa Konxheli. Mirëpo përbërja e njëjtë nuk do ta japë verdiktin kësaj radhe, pasi gjyqtarët Ismaili e Konxheli janë zëvendësuar nga dy të tjerë.
Kjo u hap rrugë palëve të kërkojnë që të gjitha provat të lexohen edhe një herë, e po ashtu edhe dëshmitarët të thirren prapë, gjë që mund ta zgjasë procesin e nisur më 4 maj 2022. Avokatët e të akuzuarve ditë më parë nuk sqaruan nëse do ta bëjnë këtë apo jo.
Gjykata Themelore në Prishtinë pati vendosur më 31 janar 2024 që Lekaj të dënohet me tre vjet e 8 muaj burgim për rastin që u bë i njohur si afera “53-milionëshi”.
Pos Lekajt, në këtë rast të akuzuar janë edhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri. Ndaj të katërve qe shqiptuar dënimi prej 10 vjetësh e tre muajsh burgim, në total.
E në vendimin e Apelit, për kthimin e rastit në rigjykim, thuhet se aktgjykimi i Themelores nuk e ka mbështetur akuzën se Lekaj dhe Berisha e kanë injoruar opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”. Apeli ka konsideruar se kompetencat e kompanisë së angazhuar për mbikëqyrjen e projektit janë të paspecifikuara.
“Hill International” qe kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, me një kosto prej 8.7 milionë eurosh për të mbikëqyrur si konsulent ligjor, financiar dhe teknik realizimin e projektit të autostradës “Arbën Xhaferri” dhe se më herët asnjë pagesë nuk është kryer pa u certifikuar nga kjo kompani.
Sipas aktgjykimit të Themelores, Qeveria ka ndarë 53 milionë euro shtesë për kompaninë “Bechtel & Enca”, e cila i ka realizuar punimet e autostradës Prishtinë–Han i Elezit, duke e injoruar opinionin e kompanisë që pati konstatuar se duhen paguar vetëm 14 milionë euro si dëmshpërblim për mosalokim të buxhetit konform dinamikës që parashihej në kontratën bazë.