Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dështon miratimi i rishikimit të buxhetit, përplasje mes Muratit e opozitës

Kuvendi i Kosovës

Në mungesë të kuorumit ka dështuar të miratohet rishikimi i buxhetit për vitin 2022. Në momentin e votimit në sallën plenare ishin vetëm 54 deputetë. Megjithatë, diskutimet për rishikimin e buxhetit ishin të ashpra mes ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe deputetëve opozitarë.

Murati e konsideroi të nevojshëm rishikimin. Sipas tij, në tremujorin e parë të vitit 2022 ka pasur rritje të hyrave prej 17 për qind më tepër dhe se vlera që i shtohet buxhetit është mbi 150 milionë euro. Murati ka thënë se kjo shumë do të përdoret në kuadër të ringjalljes ekonomike, mirëpo ai u kritikua nga opozita që u shpreh se s’do të ketë ndikim pozitiv për vendin.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushataku ka deklaruar se buxheti për vitin 2022 është pa asnjë efekt zhvillimor.

“Ky buxhet është tërësisht konsumues pa asnjë efekt zhvillimor... Pjesa më e madhe buxhetore është planifikuar për politika ad-hoc, populiste të kryeministrit Kurti, pa asnjë efekt në ekonomi për të blerë paqen sociale me ata qytetarë që janë në nevojë”, tha ai.

Kritika adresoi edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Madje e cilësoi edhe si të kundërligjshëm.

“Qysh ka mundësi që ju keni filluar ekzekutimin, keni vendos 100 euro të gjithë punëtoreve në sektorin publik ende pa hy plotësim-ndryshimi në fuqi, ku i keni marrë këto mjete dhe cilët zëra buxhetorë i keni prek”, tha ai.

Ndërsa, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi tha se rishikimi i buxhetit nuk ka asnjë ndikim pozitiv për vendin.

“Projektligji është vendim i gabuar, pasi nuk ka ndikime pozitive dhe nuk reflekton në një menaxhim të duhur të financave publike të shtetit të Kosovës. Rishikimet buxhetore po bëhen, ndërsa asnjë investim dhe projekt zhvillimor në nivel shteti nuk ka filluar për vitin 2022”, deklaroi ajo.

Mirëpo, deputetëve opozitarë, iu kundërpërgjigj ministri Murati, i cili tha se shtesat prej 100 eurosh i shkojnë direkt qytetarëve.

“Këto pagesa që ne po i bëjmë shkojnë direkt në xhepat e qytetarëve, të cilat munden t’i shfrytëzojnë për t’i mbuluar disa prej faturave dhe dhënë një shtysë për çdo familje”, deklaroi Murati.

Pas mungesës së kuorumit, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca mbylli punimet e seancës plenare dhe tha se për të njëjtën do të vendoset në Kryesinë e Kuvendit./KP

Artikuj të ngjashëm