Arbëri

Deri tash, asnjë shtetas i ekstraduar nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas

Institucionet e Kosovës, pas sulmit në Banjskë, kanë përmendur mundësinë për të bërë kërkesë për ekstradimin e Millan Radoiçiqit dhe sulmuesve të tjerë që ikën në Serbi. Në një përgjigje për KOHËN, nga Ministria e Drejtësisë kanë njoftuar se nuk ka asnjë shtetas të ekstraduar nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. Në rast se Serbia vazhdon të mos tregojë vullnet për bashkëpunim, ka edhe një mundësi për Kosovën – të lëshojë fletarreste ndërkombëtare

Dhjetëra persona të uniformuar e të armatosur në Banjskë të Zveçanit dyshohet të kenë kaluar kufirin e Kosovës për në Serbi. Njëri ndër ta, edhe Milan Radoiçiq si udhëheqës i sulmit të 24 shtatorit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Për Radoiçiqin dhe sulmuesit e tjerë serbë, institucionet kanë paralajmëruar mundësinë e kërkesës për ekstradim nga Serbia në Kosovë. Por për këtë nuk ka një marrëveshje mes dy shteteve, e as ndonjë rast ekstradimi deri më tash.

“Lidhur me kërkesën tuaj, Ministria e Drejtësisë ju njofton se nuk ka asnjë shtetas të ekstraduar nga Republika e Kosovës në Serbi dhe anasjelltas”, thuhet nga Ministria e Drejtësisë.

Gjithsesi, një kërkesë për ekstradim do të bëhet. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se do të kërkohet nga Serbia dorëzimi i Radoiçiqit.

“Në momentin kur do ta pranojmë kërkesën nga Gjykata për fletërreshtim ndërkombëtar, ne do të veprojmë në përputhje me përgjegjësinë dhe i njëjti duhet të dorëzohet në Republikën e Kosovës, për të vazhduar pastaj gjykimin në Republikën e Kosovës. Unë e kuptoj që është sfiduese duke marrë parasysh që vetë Serbia e ka dirigjuar këtë sulm terrorist”, tha Haxhiu.

Ehat Miftaraj, drejtor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha se Serbia asnjëherë nuk ka treguar vullnet politik për të bashkëpunuar në çështje gjyqësore, përfshirë edhe për krime lufte.

“Në këtë drejtim mungesë të bashkëpunimit mes Serbisë dhe Kosovës, mungesë të vullnetit të Serbisë për të bashkëpunuar me Kosovën dhe për t’i dorëzuar, ekstraduar të njëjtit në Kosovë nuk mbetet tjetër veçse të kemi një presion ndërkombëtar tek Serbia, në mënyrë që të parandalohet apo të ndalet kjo praktikë ku Serbia të kthehej në një parajsë për kriminelët të cilët kryejnë krime në Kosovë”, tha Miftaraj.

Nëse Serbia nuk bashkëpunon, ka edhe një mundësi për Kosovën - të lëshojë fletarrest ndërkombëtar. E sipas Miftarajt, kjo ka vlerë të jashtëzakonshme, meqë kufizon lirinë e lëvizjes të sulmuesve.

“Në bazë të fletarrestit ndërkombëtar, nëse të njëjtit lëvizin në Bosnjë, në Mal të Zi, në Bullgari apo kudo që lëvizin jashtë territorit të Serbisë, të njëjtit automatikisht identifikohen në sistemin e Interpolit dhe këto shtete janë të detyruara t’i ndalin, t’i arrestojnë dhe pastaj të shqyrtojnë kërkesën për ekstradim të Kosovës që duhet ta dërgojnë te këto shtete”, tha Miftaraj.

Milan Radoiçiqi, pasi u zbulua se mori pjesë në sulmin ndaj Policisë, mori përsipër organizimin e aksionit terrorist, ku u vranë edhe tre sulmues.