Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ish-ambasadori, Sylë Ukshin, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk e quan agresion sulmin në Banjskë, pasi nuk e njeh Kosovën si shtet.
Ukshini në “Konfront” të KTV-së ka thënë se sipas të drejtës ndërkombëtare nëse i referohesh me fjalën agresion, atëherë bëhet fjalë për dy shtete të njohura ndërkombëtarësisht.
“Mendoj se është pak gjuhë e kujdesshme e instaluar nga ndërkombëtarët dhe Bashkimi Evropian, sepse nëse e quajmë agresion, atëherë po flasim për dy shtete të njohura. Dhe Bashkimi Evropian nuk e njeh Kosovën si shtet, është një fakt ky”, ka thënë Ukshini.
Ukshini ka thënë se ambasadorët dhe diplomatët e Kosovës duhet të furnizojnë në mënyrë të rregullt në baza ditore gjitha institucionet relevante ndërkombëtare.
“Po e marr një shembull. Ishte viti 2018 apo 2019 kur kemi aplikuar për anëtarësim në Interpol. Miqtë e partnerët tanë na dhanë në konfidencë një nonpaper të dërguar nga Serbia kundër anëtarësimit të Kosovës. Nonpaperi ishte i shoqëruar me afro 20 faqe, nga e para deri te e fundit të gjitha gënjeshtra. Nëse ata e bëjnë këtë, ne mbi baza ditore duhet listuar gjitha faktet, të prokurorisë të shtetit e t’i shpërndajmë ato”, ka thënë Ukshini.
Sopi: Lista Serbe ka ardhur si bandë kriminale, është dashur të shpallet organizatë terroriste
Panelisti Agim Sopi ka thënë se Lista Serbe është dashur të shpallet organizatë terroriste pas sulmit në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Për sulmin në Banjskë e mori përgjegjësinë Milan Radoiçiq , që ishte nënkryetar i Listës Serbe atëkohë. Radoiçiq dhe të akuzarit tjerë ende bredhin në liri në Serbi.
Sopi në “Konfront” të KTV-së ka thënë se Lista Serbe është parti e krijuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ta kontrolluar një pjesë të sovranitetit të Kosovës. Ai ka thënë se klasa politike e Kosovës në atë kohë ishte pajtuar me krijimin e këtij lloji të grupit “politiko-paramilitar”.
“Është dashur të sillemi pak më ndryshe. Shembull Lista Serbe si e tillë që është dëshmuar se është përdorur si instrument, pasi nuk ishte parti politike që lufton për të drejtat e serbëve në Kosovë por erdhi si bandë paraushtarake për t’u përgatitur për aneksimin e Kosovës, është dashur të shpallet jo e ligjshme e të shpallet organizatë terroriste. Njëjtë siç kryeministri Kurti i shpalli Rojat e Urës, Brigadën e Veriut e grupacione të tilla”, tha Sopi.
Ukshini: Serbia deshi ta shfrytëzojë zhvendosjen e vëmendjes së Perëndimit në Ukrainë
Sylë Ukshini, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se Serbia deshi ta shfrytëzonte zhvendosjen e vëmendjes së bashkësisë ndërkombëtare, kur ajo planifikoi sulmin në Banjskë më 24 shtator.
Ai në “Konfront” ka theksuar se sulmi në Banjskë ka edhe elemente të terrorizmit dhe elemente të agresionit ushtarak.
“Ky erdhi 13 vjet pas fillimit të bisedimeve për normalizim dhe 6 muaj pas marrëveshjes pompoze së Ohrit. Këto treguan se Serbia po e testonte deri ku do të rezistonte bashkësia ndërkombëtare sepse e pa një lëkundje apo zhvendosje të vëmendjes në Ukrainë dhe deshi ta shfrytëzojë”, ka thënë ai.
Ukshini ka shtuar se presidenti serb e ka menduar si strategji viktimizimin e serbëve, por që nuk i ka funksionuar. Ndërsa, i çuditshëm i duket mungesa e ndëshkimit nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Vuçiq e ka menduar një strategji e gjatë, tjetër që nuk funksionoi, këtë e kanë përdorur edhe në Kroaci edhe në Bosnjë – viktimizimi. Dy vjet më parë e ka viktimizuar në maksimum popullatën serbe që të justifikohet agresioni. Përshtypje më bënë mungesa e ndëshkimit serioz nga BE dhe SHBA, sepse ky aksion erdhi në kohën kur ishte procesi i Brukselit. Nuk mund një shtet serioz me një tavolinë të bisedojë, në anën tjetër të përgatisë agresione”.
Deputeti Rexhaj thotë se Serbia do ta presë një moment të përshtatshëm për sulm të ri
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se Serbia është duke pritur një moment të përshtatshëm për të kryer një sulm të ngjashëm si ai në Banjskë.
Në sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Mendësia e Serbisë është që sërish në një kohë të përshtatshme, përmes ndikimit të saj ruso-serb, të provojë ta sulmojë edhe njëherë Republikën e Kosovës”, ka thënë Rexhaj në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka thënë se kishte qenë e pritur edhe vitin e kaluar se mund të vinte një sulm.
“Afërsisht e kemi pritur një gjë të tillë. Në këtë kuptim, Ministria e Punëve të Brendshme, kryeministri Kurti kishin punuar vazhdimisht që të hapeshim më shumë stacione policore në veri. Atë kohë u hapën tetë stacione, u shtua numri i njësiteve speciale duke pritur një rast të tillë”, tha Rexhaj.