Gjykata Themelore në Prishtinë e ka lënë të lirë deputetin e Kuvendit të Kosovës nga NISMA Socialdemokrate, Milaim Zeka meqë Prokuroria nuk ka bërë kërkesë për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak.
Lajmin për Kallxo e konfirmoi gjykatësi i rastit, Rrustem Begolli.
Ai tha se gjykata nuk ka pranuar nga prokuroria ndonjë kërkesë për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj Zekës deri në momentin kur atij i skaduar afati i masës paraprake.
“Prandaj Gjykata nuk ka pasur për çka të vendosë dhe në momentin e kalimit të afatit për të cilin është shqiptuar kjo masë Milaim Zeka është liruar”, tha gjykatësi Begolli.
Të njëjtin arsyetim e dha edhe Gazmend Halilaj, avokat i Milaim Zekës.
“Klienti im ndodhet në liri pasi që prokuroria nuk ka ushtruar kërkesë për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak apo zëvendësimin e kësaj mase me ndonjë masë më të butë”, tha avokati Halilaj.
Zeka po qëndronte në arrest shtëpiak pas dyshimeve për kërcënim ndaj një prokurori.
Edhe
Zeka deklarohet i pafajshëm, njësoj ndihen edhe dy të akuzuarit e tjerë
Aktualisht Milaim Zeka ka një aktakuzë të ngritur në gusht të këtij viti nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës bashkë me Ilir Krasniqin e Edmond Kërliun për veprat penale: mashtrimi, shmangia nga tatimi si dhe për veprën penale pastrimi i parave.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin si agjension punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.
Rast i njëjtë kur Prokuroria nuk ka kërkuar nga gjykata vazhdimin e masës së sigurisë ka ndodhur muaj më parë edhe me ish-deputetin e PDK-së dhe ish- komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, i akuzuar në rastin ‘Toka’.