Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka njoftuar se ka rënë pre e sulmeve kibernetike.
Ai përmes një postimi në Facebook, të martën, ka shkruar se profilet e tij në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, janë sulmuar nga hakerët.
Ka shtuar se aktualisht profili i tij në Instagram është nën kontroll të hakerëve.
“Ju njoftoj se nga dje, prej sulmuesit kibernetik janë sulmuar adresat e mia elektronike, Facebook dhe Instagram. Për momentin adresa ime në Instagram gjendet në posedim të sulmuesit kibernetik. Me rastin janë të njoftuara autoritetet e PK-së”, ka shkruar ai.
Kosova dhe vendet e rajonit së fundmi janë përballur me shtim të sulmeve kibernetike. Si pasojë e kësaj, Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, që dyshohet të jetë prapa sulmit ndaj sistemit TIMS. Por kryeministri Edi Rama të dielën ka thënë se sulmuesit nuk ia kanë arritur qëllimit dhe sistemet e pikave kufitare janë në punë.
Platforma e-Kosova, faqja e Kryeministrisë, disa ministrive, e Policisë së Kosovës dhe shumë media, kanë qenë cak i sulmeve kibernetike gjatë javës që shkoi.