Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputeti gjerman: S’mund të tolerohet sjellja autokratike e Vuçiqit

Deputeti i Bundestagut të Gjermanisë Josip Juratoviq, vlerëson se Bashkimi Evropian duhet t’i rishikojë negociatat me Serbinë për anëtarësim, pas parregullësive të regjistruara në zgjedhjet e fundit.

Në zgjedhjet e fundit në Serbi më 17 dhjetor, partia e Aleksandar Vuçiqit fitoi numrin më të madh të ulëseve, por ka pasur reagime për parregullësi zgjedhore. Reagime pati edhe nga BE-ja.

Juratoviq, që është nga radhët e partisë së kancelarit gjerman Olaf Scholz, në një intervistë për gazetën malaziase “Pobjeda”, ka thënë se nuk duhet të tolerohet më.

“Në politikën tonë të jashtme, ne s’mund të zgjedhim gjithmonë partnerët me të cilët do të negociojmë. Por, në këtë situatë, në të cilën lideri i fushatës shpërfill parregullësitë në zgjedhje dhe shkel hapur rregullat e demokracisë, atëherë ne nuk mund ta tolerojmë më dhe nuk jam i vetëm në mendimin tim se negociatat e mëtjeshme të para-anëtarësimit mes Serbisë dhe BE-së duhet të ‘ngrihen’ derisa të fillohet me respektimin e parimeve bazë të vlerave të demokracisë”, tha Juratoviq.

Ai ka thënë se duhet dhënë fund tolerancës ndaj qasjes autokratike të Vuçiqit.

“Fatkeqësisht bashkësia ndërkombëtare s’mund të krijojë drejtpërdrejtë politikën e Serbisë në botën demokratike të cilës ne i përkasim dhe të cilën gjoja serbia e synon. Vetëm njerëzit mund ta bëjnë këtë përmes proceseve demokratike, duke përfshirë garë të ndeshmë zgjedhore. Ajo që ne mund të ndikojmë është se ata që duan të bashkëpunojnë me ne duhet të respektojnë rregullat e demokracisë, nëse duan të jenë partnerë tanë. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen. Këto zgjedhje janë pika e fundit e tolerancës sonë ndaj qasjes autokratike gjithnjë e më të fortë të Aleksandar Vuçiqit dhe përcjellësve të tij”, tha Juratoviq.

Edhe Deputeti gjerman thotë se serbët në veri po manipulohen nga Kosova dhe Serbia Arbëri Deputeti gjerman thotë se serbët në veri po manipulohen nga Kosova dhe Serbia

Juratoviq po ashtu ka pasur kritika edhe ndaj Bashkimit Evropian për mosintegrimin e Ballkanit Perëndimor.

“Ata që përcjellin punën time e dinë shumë mirë se nuk jam kritik vetëm ndaj sistemit që ka mbizotëruar Ballkanin Perëndimor, por po ashtu edhe ndaj punës së administratës së BE-së, e cila tash e dy dekada flet për perspektivën e Ballkanit Perëndimor, kurse gjysma e tyre ende as që i ka filluar negociatat e para-anëtarësimit. Një kohë të gjatë po e tërheq vërejtjen se nuk mund të zgjedhim bashkëbiseduesit, por bashkëbiseduesve tanë mund t’ua kushtëzojmë bashkëpunimin e mëtejshëm. Për shembull, kur ndahet ndihma financiare, ajo mund të kushtëzohet me formimin e institucioneve të bazuara mbi parimet e BE-së”, tha Juratoviq.