Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit hetimor për krizën energjetike, ku po intervistohej ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati.
Kjo u bë si shenjë revolte ndaj deputetit të PDK-së, Ferat Shala, i cili e quajti spekulante, shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lilën. Rrjedhimisht, në mungesë kuorumi përfundoi edhe mbledhja e komisionit.
I pyetur nga deputetët, Murati tregoi pse nuk janë shpërndarë edhe 90 milionë eurot të zotuara për energjinë.
“Mjetet nuk janë ndarë është një zotim i qeverisë, pra nuk ka ndarje. Zotimi ka qenë në kuadër të diskutimeve dhe konsultimeve që janë bërë të task-forcës dhe synimit që Qeveria e Kosovës të mbështesë qytetarët që mos të ketë tarifa të papërballueshme...18:03Shuma që kemi marrë përsipër si Qeveri e Kosovës është 90 milionë euro për vitin tarifor. Ky zotim i qeverisë qëndron dhe qeveria nuk i mbetet borxh askujt, pasi shteti vazhdon të qëndrojë. Zotimi ka qenë 90 milionë dhe zotimi qëndron për vitin tarifor. Ndarjet e këto janë çështje teknike dhe metodologjisë së përcaktuar ndërmjet akterëve që pajtohen për të zbatuar një metodologji, a bëhet me këste, muaj për muaj apo si. Kjo është çështje teknike pastaj”, tha Murati.
Pas këtyre përgjigjeve në debat e sipër, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e quajti spekulante, deputeten e LVV-së, Mimoza Kusari-Lilën.
Edhe
Braktisja e Komisionit hetimor nga bashkëpartiakët, ia lë në gjysmë dëshminë ministrit Murati
“Unë e kam shumë të vështirë të drejtën me u barazu me spekulime dhe me gjithçka tjetër të zonjës Kusari, prandaj pajtohem se për spekulim kjo është kampion. Kampion je, ju jeni spekulante më e madhe e këtij legjislativi në Parlament”, tha ai.
Kusari-Lila e quajti të papranueshëm këtë etiketim dhe më pas në shenjë revolte, bashkë me deputetë të tjerë të LVV-së, lëshuan mbledhjen.
“Nëse fillojmë me etiketime dhe kategorizime ne e lëshojmë komisionin hetimor dhe nuk marrim pjesë. Zotëri Shala jeni koleg deputet dhe të quajturit me emra dhe etiketime është e tepruar. Unë thash pyetje spekulative, s’ju thash juve spekulant. Unë s’bëj pyetje spekulative, ju bëni. Rri uluni aty. Zotëri Shala ndaleni këtë mënyrë patronizuese, s’jeni as profesor i imi dhe as nuk jeni në një pozitë kur mundesh me i thënë një deputeti ‘uluni aty’ apo ‘ngrituni’”, tha ajo.
Pas përfundimit të mbledhjes, deputeti Shala para mediave tha se këto janë vetëm pretekste të mazhorancës për t’i ikur përgjegjësisë.
“Kjo është orvatje për t’i ikur përgjegjësisë. Të gjitha të tjerat nuk mundet të arsyetohen nga ndërhyrjet e kolegëve derisa na po bashkëbisedonim në mënyrë normale me ministrin. Nuk ka përgjigje për paranë, metodologjinë e shpërndarjes, s’ka përgjigje për raportin konsultativ, s’ka përgjigje për ndërhyrjet politike që kanë bërë në ZRrE”, tha ai.
Edhe
Kriza energjetike: Pushteti refuzon të kërkojë dokumente që s’i përkasin periudhës së hetimit
Ndërsa, deputeti tjetër i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ministri Murati nuk ishte në gjendje të përgjigjet konkretisht për asnjë pyetje të deputetëve.
“Ministri i Financave nuk ishte në gjendje me u përgjigj në pyetjet e tilla. Ne kërkonim për shpenzimet e mjeteve dhe borxheve që ka Kosova karshi importuesve të energjisë. Ai na fliste për metodologjinë dhe mënyrën si do të bëhen. Ne po shohim se nuk ka një gatishmëri që ministri të jep llogari për punën e tij”, theksoi Tahiri./ KP