Një ditë pasi që konstituimi i Kuvendit mbeti peng i zgjedhjes së një nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, njohës të çështjeve juridike dhe kushtetuese e kanë shtruar nevojën që partitë shqiptare ta votojnë një kandidat me synim të përmbylljes së procesit. Ata vlerësuan se kundërshtimi i kandidatëve gjatë seancës së të martës përbën veprim kundërkushtetues dhe shprehën drojë se Kuvendi mund të përballet me bllokadë të re
Deputetët mund ta konsumojnë edhe një shkelje tjetër kushtetuese po qe se nuk e zgjedhin një nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, kanë vlerësuar njohës të çështjeve juridike e kushtetuese.
Konstituimi i Kuvendit ka mbetur peng i zgjedhjes së këtij nënkryetari, pasi paraprakisht u zgjodhën kryetari, nënkryetarët nga partitë shqiptare, si dhe ai i komuniteteve pakicë joserbe.
Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se kryeparlamentari i ri Dimal Basha veproi në kundërshtim me Kushtetutën kur e ndau procedurën e votimit të dy nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve dhe shtoi se përgjegjësia për bllokadën e re në konstituim bie mbi të.
“Në rast se nuk votohet asnjë kandidat nga komuniteti joshumicë, përfshirë edhe Nenad Rashiqin, atëherë ka një moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e që përgjegjësia bie mbi kryetarin e ri të Kuvendit, për shkak se ai e ndërroi mënyrën e votimit. Kemi një gjendje të re jokushtetuese”, ka thënë Jakaj.
Në Kuvend nuk iu përgjigjën pyetjes së KOHËS se çfarë veprimesh ka ndërmarrë kryetari Basha në drejtim të gjetjes së konsensusit për ta përmbyllur me sukses seancën e caktuar për të enjten.
Përgjigje nuk kthyen as te Lista Serbe në pyetjen për përpjekjet që janë bërë për votimin e nënkryetarit të kësaj partie.
Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve kushtetuese, thotë se partitë politike shqiptare duhet të demonstrojnë vullnet për të mos nxitur bllokadë e obstruksione të reja.
“Duhet shumica shqiptare ta bëjë nesër hapin e duhur dhe ta votojë, bie fjala, dikë që i plotëson kushtet, në këtë rast zotin Rashiq... Kemi të bëjmë me një kandidat që është i integruar në shoqërinë tonë, e njeh realitetin e krijuar, ka qenë pjesë e Qeverisë dhe nuk do të duhej që tash për inat se ky ka qenë pjesë e Qeverisë të mos votohet”, ka theksuar Baraliu.
Për shkak të insistimit për ta kandiduar vetëm Slavko Simiqin për nënkryetar, Lista Serbe e refuzoi votimin brenda seancës konstituive. Por, në votim nuk morën pjesë as deputetë të LDK-së.
E këtë Jakaj e Baraliu e vlerësuan në kundërshtim me aktgjykimin e Kushtetueses.
“LDK, në këtë rast përbën veprim të moszbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese me mospjesëmarrje në votim nuk e zbaton dhe nuk e respekton”, ka vlerësuar Jakaj.
“Është kinse përpjekje për t’u qëndruar besnikë parimeve por në fakt është rrëshqitje nga parimet dhe rrëshqitje nga detyra primare që e kanë, qoftë individualisht, çdo deputet i kësaj partie, në këtë rast i LDK-së, qoftë LDK-ja dhe lidershipi i saj në relacion me Kushtetutën, me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, me Rregulloren e Kuvendit dhe me interesin publik dhe shtetëror të Kosovës”.
Të enjten Kuvendi do të mblidhet nga ora 11:00 për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, e propozimet për këtë post do të paraqiten nëpërmjet shortit.