Arbëri

Dëmtohet shiriti për biçiklistë, kompania fillon ta heqë pak ditë pas punimeve në Podujevë

Pak ditë pas vendosjes (ngjyrosjes) së shiritit për biçiklistë në rrugën “Zahir Pajaziti” të Podujevës, i njëjti ka filluar të dëmtohet. Edhe pse këtë javë kanë filluar punimet për këtë shirit në pjesën e djathtë të kësaj rruge, të premten punëtorët e kompanisë fituese të këtij tenderi janë parë duke e hequr ngjyrën e vendosur mbi asfalt.

Sipas zyrtarëve komunalë, kjo kompani për shkak të punimeve të dobëta ka marrë vërejtje me shkrim nga Komuna.

“Operatori ekonomik ka marrë vërejtje me shkrim për përmirësimin e shtegut për biçiklistë, në të kundërtën do të penalizohet konform kushteve të kontratës”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për informim të Komunës së Podujevës.

“Kjo kontratë ka vlerë prej 75,703.45 euro, duke përfshirë edhe vendosjen e sinjalistikes horizontale dhe vertikale në qytet. Dhe ky shteg po bëhet në kuadër të kësaj kontrate. Pjesa e këtij shtegu që është paraparë të punohet ka një sipërfaqe prej 900m2 ose 1125m1. Për këtë vit është paraparë që të bëhet shtegu për biçiklistë vetëm në njërën anë të rrugës”, vijon përgjigja e tyre.

Image