Arbëri

Fillojnë punimet në rikonstruktimin e rrugës “Skënderbeu” në Podujevë

Kanë filluar punimet në rikonstruktimin e një prej rrugëve kryesore në Komunën e Podujevës. Rruga “Skënderbeu” do t’i kushtojë Komunës së Podujevës më shumë se 1.3 milionë euro.

Zyrtarët komunalë janë zotuar se kjo rrugë do të ndërtohet sipas standardeve ndërkombëtare dhe do të vendoset rrjeti i ri i kanalizimit, ujësjellësit, ndriçimit, trotuar, gjelbërim dhe do të ndërtohet shtegu për biçikleta.

“Sot gjatë ditës kanë filluar punimet në rikonstruktimin e tërësishëm të rrugës ‘Skënderbeu’, ku për të parë nga afër fillimin e punimeve ishte edhe kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtori i Planifikimit Urban, Mbrojtje dhe Mjedis, Leutrim Krasniqi. Pas fillimit të punimeve kryetari Bulliqi tha se ‘kjo rrugë do të ndërtohet sipas të gjitha standardeve infrastrukturore me kanalizim, ujësjellës, ndriçim, trotuar, gjelbërim, shtigje të biçikletave etj’”, thuhet në njoftimin e Komunës së Podujevës.

Bulliqi është zotuar se institucionet lokale do të mbikëqyrin në vazhdimësi punimet, me qëllim që të mos zvarriten punimet dhe projekti të realizohet me kohë.

“Duke e ditur qarkullimin e madh të qytetarëve në këtë rrugë, me kompaninë punëkryese jemi dakorduar që të punohet pjesë-pjesë dhe të mos pengohet qarkullimi në të gjithë rrugën, ndërsa nga qytetarët tanë kërkojmë mirëkuptim”, ka theksuar Bulliqi.