Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Demalijaj akuzon AAK-në në Deçan: Ka dalë nga binarët

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, ka njoftuar se do të jetë kandidat i pavarur për kryetar të Komunës së Deçanit në zgjedhjet lokale të 2025-s, derisa për subjektin që i takon tha se ka dalë nga binarët në këtë komunë.

Ai ka shkruar në Facebook të dielën se pakënaqësia e qytetarëve në Deçan është shumë e lartë, derisa ka kërkuar që AAK-ja të reflektojë dhe ta vlerësojë këtë situatë. Demalijaj ka kërkuar që në Deçan të mbizotërojë “meritokracia dhe transparenca”.

“Ju njoftoj se nga sot jam Kandidat i Pavarur për Kryetar të Komunës së Deçanit. Arsyetim: Duke parë se pushteti aktual qeverisës në Komunën e Deçanit është i infektuar deri në palcë dhe Aleanca në Deçan ka dalë nga binarët e saj dhe pakënaqësia qytetare është ekstremisht e lartë.!! Unë sot po ju them se përfundimisht e kam me të vërtetë dhe do të jem pranë jush deri në finale kur do ta përmbysim këtë klikë qeverisëse dhe do ta kthejmë AAK-në në binarët e saj dhe meritokracia dhe transparenca do të mbizotërojë në qeverisje lokale në Deçan.!! Në zgjedhjet lokale 2025 do të aplikojmë edhe me listë zgjedhore për Asamble Komunale, ndërsa në zgjedhjet qendrore do ta mbështesim të gjithë Ramush Haradinajn dhe programin e tij nacional për qeverisje”, ka shkruar Demalijaj në Facebook, njëherit anëtar i Kryesisë së AAK-së.

Ai ka shtuar më tutje se në zgjedhjet qendrore nuk do të jetë në listë për deputet.

“Presim reflektim të AAK-së që ta vlerësojë këtë situatë dhe kandidaturën tonë ta pranoj si ofertë të sinqertë dhe fitoren ta bëjmë më bindëse dhe të gjithë qytetarët ta gëzojnë këtë fitore”, ka thënë Demalijaj.

KOHA ka tentuar të marrë sqarime nga partia opozitare rreth deklarimeve të Demalijajt, por zyrtarë të saj kanë qenë të paqasshëm deri në momentin e raportimit.