Arbëri

Demaku e quan pro-qeveritar, Gjinovci: Jam pro së vërtetës

Panelistja në “Konfront” të KTV-së, Dafina Demaku, e ka quajtur analistin Rron Gjinovci pro-qeveritar.

Derisa ka folur të martën për mundësinë që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të dështojë, ajo ka thënë se dështimet e qeverisë arsyetohen nga zërat pro-qeveritar, duke iu referuar Gjinovcit.

“A duhet ta përgatisin opinionin që edhe nëse dështojnë për në Këshill të Evropës, gjithmonë (v.j. po ndodh pasi) po e kanë luftë. Ko zakonisht ndodh prej zërave pro-qeveritar, si në krahun tim të majtë këtu (v.j. i drejtohet opinionistit Rron Gjinovci), gjithmonë në çdo presupozim të një dështimi që mund të ndodh, që shpresoj të mos ndodhë dështimi i anëtarësimit në Këshill të Evropës, mirëpo po na fliten disa kritere aty”, ka thënë ajo.

Për këtë akuzë ka reaguar vetë Gjinovci, i cili ka thënë se është pro të së vërtetës.

“Unë nuk jam zë pro-qeveritar, por pro të vërtetës sepse ka plot raste kur unë e kritikoj Qeverinë”, është shprehur ai.


Gjinovci: Dinari nuk e ka eklipsuar Banjskën, por e pamundësoi Banjskën dy

Analisti Rron Gjinovci ka thënë se çështja e dinarit nuk e ka eklipsuar Banjskën, por sipas tij, e ka pamundësuar përsëritjen e asaj që ndodhi më 24 shtator.

Në Banjskë të Zveçanit, nga një sulm paramilitar serb u vra polici Afrim Bunjaku.

Gjinovci në “Konfront” të KTV-së u shpreh se çështja e dinarit po problematizohet pasi Serbia e ka humbur fuqinë destruktive në Kosovë.

“Dinari nuk mendoj që e ka eklipsuar Banjskën, por e ka pamundësuar përsëritjen e Banjska dyshit. Nuk mendoj se çështja e dinarit problematizohet nga ndërkombëtarët apo Serbia për qytetarët serbë, por mua më duket se kjo problematizohet për shkak se Serbia po e humb çdo herë e më shumë, edhe me këtë vendim, fuqinë e saj destruktive në Kosovë. Sepse nëse nuk ka dinarë që qarkullojnë me thasë për kriminelët, ata s’kanë pushtet sepse krimi funksionon me pare”, ka thënë ai.


Sopi: Do duhej të ndalej Lista Serbe si dorë e zgjatur e Beogradit

Image

Analisti politik, Agim Sopi, ka thënë se pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, Qeveria do të duhej ta ndalonte Listën Serbe si organizatë terroriste dhe dorë të zgjatur të Serbisë.

Të martën në “Konfront” të KTV-së, Sopi ka thënë se në këtë mënyrë do të ndaloheshin të gjithë komponentët paralelë që e kanë mbajtur gjallë këtë parti, përfshirë financimin nga Beogradi.

“Ka elemente të bollshme që më 24 shtator ka pasur agresion të strukturave militare ushtarake me uniforma dhe armatim të Serbisë dhe me njerëz që janë shumë të afërt me udhëheqësinë e Serbisë. Meqenëse strukturat e sigurisë së Kosovës bashkë me KFOR-in kanë zënë një arsenal të armatimit dhe meqenëse më vonë janë pajtuar edhe faktori ndërkombëtar, si aleatët edhe armiqtë se ka qenë një lloj agresioni ndaj Kosovës, atëherë të paktën qysh atë ditë është dashur Qeveria ta ndalojë listën Serbisë si organizatë terroriste që e ka sulmuar shtetin e Kosovës. Pasi të ishte ndaluar struktura politike militare si dorë e drejtë e zgjatur e Serbisë, do të duhej të ndaloheshin të gjithë komponentët paralelë që e kanë mbajtur gjallë, përfshirë këtu edhe financimin”, është shprehur ai.


Krasniqi: Qeveria po e bën Serbinë hisedare në vendimet e institucioneve të pavarura të Kosovës

Image

Gazetari Besnik Krasniqi, ka thënë se Qeveria e udhëhequr prej Albin Kurtit po e bën Serbinë hisedare në vendimet e institucioneve të pavarura të Kosovës, siç është rasti i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Komentet e Krasniqit vijnë pasi sot u arrit dakordimi mes Kosovës dhe Serbinë që të dërgohen propozime për të dalë nga ngërçi i dinarit. Palët kanë kohë deri të premten për t’i dërguar propozimet, e më pas ato do të diskutohen të hënën në Bruksel në takimin mes kryenegociatorëve.

Ky dakordim, siç thotë Krasniqi, i hedh poshtë proklamimet që bëhen në Prishtinë për “institucione të pavarura”.

“Nga sot, nga e premtja ose kurdo që palët merret vesh, s’kemi me i pas këto institucione të pavarura që po i proklamojnë në Prishtinë dhe kemi me e bë Serbinë hisedare në një akt nënligjor të cilin e nxjerr një institucion i pavarur kushtetues, siç është Banka Qendrore e Kosovës”, ka thënë Krasniqi në “Konfront” të KTV-së.

Sipas tij, çështja e dinarit ka dalë nga kompetencat e BQK-së.

“Në momentin kur trajtohet në dialog, aty s’ka më as pavarësi as profesionalizëm në mënyrën se si me adresu këtë çështje. Është puro zgjidhje politike për dinarin. Fatkeqësisht, nuk është hera e parë që Qeveria Kurti e bën hisedare Serbinë në këto vendimmarrje”, ka shtuar Krasniqi.


Demaku: Sot në Bruksel ekskluzivisht u diskutua për dinarin, Qeveria e trajtoi si çështje periferike 

Image

Opinionistja në “Konfront”, Dafina Demaku, ka thënë se të martën në Bruksel është diskutuar ekskluzivisht për dinarin, ndërsa Qeveria në njoftimin e saj e ka trajtuar si çështje periferike.

Sipas Demakut, Qeveria nuk po tregohet e sinqertë në lidhje me këtë çështje.

“Takimi sot atje ka zgjatur dhe në fokus ka qenë çështja e dinarit. Ajo që më ra në sy ka qenë njoftimi i Qeverisë që e trajton këtë temë si çështje periferike që është diskutuar sot në Bruksel, çka nuk është e vërtetë. Pra, sot në Bruksel është diskutuar ekskluzivisht për çështjen e dinarit dhe për këtë fakt palët do të dërgojnë komente ose propozime deri të premten. Ironike është fakti që Serbia do të dërgojë propozim për diçka që deri tani na është thënë që është vendim i një institucioni të pavarur të Republikës së Kosovës. E kemi bërë Serbinë palë për të dhënë propozime ne se si t’ia bëjmë kësaj pune”, ka thënë Demaku.

Ajo ka shtuar se para 10 ditësh ishte pikërisht Bislimi, i cili të martën mori pjesë në takim, që ka thënë se çështja e dinarit nuk do të diskutohet në asnjë mënyrë në Bruksel.

“Nuk ka 10 ditë që kur është thënë se kjo çështje nuk do të diskutohet assesi në Bruksel. Personi që e ka thënë këtë është zëvendësministri Bislimi, i cili sot ishte në Bruksel”, është shprehur ajo.