Ministrja në detyrë Gërvalla ka theksuar se Kosova po e ndjek rrugën drejt integrimit euroatlantik, por se Serbia ka drejtim tjetër - drejt Rusisë. SHBA-ja ka kërkuar mbylljen e misionit të UNMIK-ut, Britania e Franca kanë kërkuar nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të sulmit nën Banjskë, e Kina e Rusia, kanë mbrojtur Serbinë. Përfaqësuesi i Serbisë në këtë mbledhje ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se synim ka dëbimin e serbëve
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në fjalimin e saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ku të martën është diskutuar raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën, ka ftuar shtetet anëtare që të mos presin gjatë dhe të mos rrezikojnë edhe një luftë ballkanike, duke mos e ndaluar Serbinë në qëllimet e saj.
Ajo ka theksuar se Kosova po e ndjek rrugën drejt integrimit euroatlantik, por se Serbia ka drejtim tjetër - drejt Rusisë.
“Paralajmërimi ynë është i qartë, mos prisni gjatë, mos rrezikoni edhe një luftë ballkanike, duke u përqendruar në pyetjet e gabuara, në vend se të merreni me rrezikun e vërtetë”, ka thënë Gërvalla.
Po ashtu i ka replikuar ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, që Kosovës iu referua si “Kosova e Metohija”.
“Nuk ka Kosovë dhe Metohi, ajo nuk ekziston. Kosova dhe Metohia është shprehje e qartë e ambicieve hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës. Është gjuha e vjetër e Millosheviqit dhe atyre që e ndjekin. Kosova është demokraci e pastës perëndimore. Mbështetja për NAOT dhe SHBA është 99%. Ne jemi vendim më pro-NATO dhe pro-SHBA në botë. Ne jemi mbrojtur nga gjenocidi nga NATO dhe SHBA”, ka thënë ajo.
Ajo ka prezantuar edhe një fotografi të një murali në Serbi, që siç ka thënë ajo, paraqet kërcënimin serb ndaj Kosovës. Gërvalla ka theksuar se Kosova është për dialog dhe jo për mashtrime të Aleksandër Vuçiqit.
“Nuk po flasim për historinë por të tanishmen dhe në tanishmen Kosovë është një kërcenim për rajonin. E përcjellim propagandën e Vuçiqit dhe urrejtjes që shpërndahet, helmon popullatën serbe. Në Serbi mund të shihni grafitë murale të mëdha sot ku shkruhet ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’. Nuk shkruhet ‘nëse’ por ‘kur’. Ata nuk e fshehin qëllimin e vet. Ne jemi në favor të dialogut. Na duhet një dialog i vërtetë dhe jo një mashtrim nga Vuçiqi. Strategjia e të cilit ndaj BE-së është luftë deri tek agresioni ushtarak”.
Gërvalla ka thënë se presidenti serb duhet të ndalet nga bashkësia ndërkombëtare, pasi “Serbia ka provuar më 2023 se është e gatshme për luftë”, duke iu referuar sulmit në Banjskë.
“Banjska nuk ka qenë incident, Banjska ka qenë një agresion i hapur i Serbisë, i shtetit të Serbisë kundër një shteti fqinj, kundër Republikës së Kosovës. Të gjithë këtu dhe jashtë kësaj ndërtese e dinë se kush qëndron pas gjithë kësaj, e kemi parë të gjithë në videot e publikuara nga rasti në Banjskë që kaloi pa pasoja”, ka thënë ajo.
Gërvalla po ashtu është shprehur se UNMIK-u duhet të mbyllet sepse nuk i shërben qëllimit.
Gjuriq akuzon Kurtin për dëbim të serbëve nga Kosova
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka akuzuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, se po udhëheq politikë që synon dëbimin e serbëve nga Kosova dhe po dëmton, siç ka thënë ai, “trashëgiminë e paqes të presidentit Trump që e arriti gjatë mandatit të parë”.
Në fjalimin e tij gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën, Gjuriq ka thënë se komuniteti serb në Kosovë po përballet me “gërryerje sistematike” dhe “një betejë humane për mbijetesë”.
“Ka arrestime arbitrare, dhunë të pakontrolluar dhe një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj parimeve themelore të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Gjuriq, duke shtuar se raporti i Guterresit “pasqyron tmerret e përditshme që po përjetohen atje”.
Sipas tij, qeveria e Kosovës ka shkatërruar “128 institucione jetike” në zonat me shumicë serbe, përfshirë shërbimet sociale, postën, pensionet dhe punësimin, ndërsa “madje edhe Kryqi i Kuq është bërë shënjestër”. Ai ka theksuar, duke përmendur raportin e Guterresit, se autoritetet e Kosovës “kanë vazhduar të mbyllin institucionet e udhëhequra nga Serbia” dhe se këto veprime janë kritikuar edhe nga aktorët ndërkombëtarë.
Gjuriq ka folur edhe për, siç tha ka thënë, “sulmet e shpeshta me motive etnike”, duke pretenduar se mbi 30 të rinj serbë janë shënjestruar që nga ardhja në pushtet e Kurtit.
“Nëse je serb, askush nuk të mbron. Ky mohim sistematik i të drejtave themelore është një dështim i thellë moral dhe politik”, deklaroi ai, duke shtuar se “këto mizori burojnë nga një urrejtje e rrënjosur thellë në Prishtinë”.
Ai ka akuzuar Kurtin për “militarizim të Forcës së Sigurisë (FSK)” dhe për “blerje të dronëve kamikazë”, ndërsa ka theksuar se “paqja nuk ndërtohet me armatim të njërës palë”.
Gjuriq e ka quajtur “alarmante” situatën rreth Kishës Ortodokse Serbe dhe ka thënë se “sulmet ndaj objekteve fetare janë një erozion i qëllimshëm i identitetit kulturor”.
Ministri serb ka deklaruar se 20 për qind e serbëve janë larguar nga Kosova në një “eksod të heshtur” dhe se vetëm 17 kthime vullnetare janë regjistruar.
“A është kjo shoqëria multietnike që po proklamohet?”, ka thënë Gjuriq.
Ai po ashtu ka mohuar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka bërë ndonjë deklaratë që nënkupton mesazh për nxitje lufte. Madje sipas Gjuriqit, presidenti Vuçiq ka kërkuar bashkëpunim ekonomik, siç ishte “Ballkani i Hapur”, të cilin kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka refuzuar.
“Presidenti Vuiçiq u akuzua këtu për nxitje lufte. Ai përveç se nuk ka bërë një deklaratë të tillë në asnjë moment, ai vazhdimisht ka kërkuar bashkëpunim ekonomik përmes nismave siç është ‘Ballkani i Hapur’, të cilën Kurti e ka refuzuar se ka vazhduar respresionin e vet. Termi gjenocid nuk duhet të keqpërdoret sidomos jo për qëllime politike senzacionaliste. Këto pretendime pa ndonjë provë janë të pabazuara në realitet dhe i shërbejnë vetëm për të fituar poenë të dobët politikë. Pretendime të tilla po ashtu dëmtojnë mundësinë për përparim në normalizim të marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptare”, ka thënë Gjuriq.
Përfaqësuesi i UNMIK-ut me thirrje për Kosovën e Serbinë
Zëvendëspërfaqësuesi Special i UNMIK-ut, Milbert Dongjoon Shin, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i kthehen dialogut për zgjidhjen e çështjeve të mbetura.
Ai në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka paraqitur raportin e UNMIK-ut për Kosovën përpara përfaqësuesve të shteteve anëtare të KS të OKB-së.
“Mirëpresim takimet e dialogut në qershor e shtator mes Beogradit e Prishtinës. U bëmë thirrje të dyjave të shmangin masa që mund të gërryejnë mirëbesimin dhe inkurajoj palët që të trajtojnë çështjet e mbetura me mirëbesim dhe në kuadër të kornizës së dialogut”, ka thënë ai.
Shin po ashtu ka folur për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, teksa ka theksuar se shpreson që “në përputhje me vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese përçarjet politike do të tejkalohen”.
Ka folur edhe për mbylljen e strukturave paralele në veri.
“Ritheksojmë brengën që bashkë me partnerët ndërkombëtarë kemi shprehur sa i përket ndikimit potencial të mbylljes së institucioneve të udhëhequra nga Serbia në kuptimin e qasjes në shëndetësi, arsim dhe kulturë. Autoritetet e Prishtinës kanë përmendur imperativa administrative ndaj këtyre masave dhe çështjet që janë komplekse. Është me rëndësi që autoritetet e Kosovës të angazhohen me të gjitha komunitetet para se të zbatojnë vendime që ndikojnë në jetën e përditshme të tyre”, ka thënë ai.
Ka përmendur sulmet në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit. Për to, Shin ka bërë thirrje për masa efektive që çojnë në llogaridhënie.
“Kemi kaluar përvjetorin e dytë të incidentin në Banjskë. U bëjmë thirrje autoriteteve në Beograd e Prishtinë, të marrin masa efektive transparente, për të sjellë kryerësit e ngjarjes para drejtësisë. Duke përfshirë edhe bashkëpunimin përmes mekanizmave të krijuar tashmë. Llogaridhënia e plotë është e domosdoshme edhe për ngjarjen e vitit të kaluar në kanalin e Ibër-Lepencit. Jemi të brengosur sa u përket arrestimeve lidhur me shfaqjen e simboleve nacionale e fetare. Ritheksojmë nevojën për të respektuar kornizën ligjore që ekziston në Kosovë e të bëhet baraspeshimi i duhur midis lirisë së shprehjes e parandalimit të nxitjes të dhunës ndëretnike”, ka deklaruar ai.
SHBA-ja kërkon mbylljen e UNMIK-ut, e Britania dorëzimin e Radoiçiqit
Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Jeff Bartos, ka përsëritur thirrjet që UNMIK-u duhet të mbyllet. Ai ka thënë se është koha që misioni të tërhiqet dhe të bëhet transferimi i funksioneve të tij.
Ai ka shtuar se takimet për UNMIK-un janë të padobishme.
“Nuk ka krizë sigurie në Kosovë dhe UNMK-u nuk ka më rol në qeverisjen e Kosovës. Koha ka ardhur që të tërhiqet misioni. Z. Shin i çmojmë përpjekjet e UNMIK-ut për dialog por UNMIK-u është mision paqeruajtës pa paqeruajtës. Është koha të fillojë puna e transferimit të funksioneve nga UNMIK në agjenci më të përshtatshme. SHBA u bën thirrje shteteve anëtare për të mbyllur operacionet e saj. Ky tranzicion është i tepërt. Takimet për UNMIK-un janë të padobishme dhe kjo punë duhet të ndërpritet. Këto takime i dëmtojnë institucionet”, ka thënë ai.
Po ashtu ka thënë se SHBA-ja e nxit Kosovën dhe Serbinë të përmbahen nga masat eskaluese dhe të ndërtojnë paqen dhe stabilitetin me njohjen si qëllim përfundimtar.
Ndërkohë, Britania e Madhe u ka bërë thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, atyre që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë, duke theksuar se njohja është thelbësore për stabilitetin afatgjatë në rajon dhe për zhvillimin e plotë të vendit.
Për Serbinë, Britania ka thënë se duhet ta dorëzojë Milan Radoiçiqin i akuzuari kryesor për sulmin në Banjskë. Ka kritikuar edhe Kosovën për sulmet që i janë bërë Gjykatës Kushtetuese.
“Britania mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe shtegut të saj euroatlantik. Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës”, ka thënë përfaqësuesja britanike.
Përfaqësuesja britanike Jennifer MacNaughtan, ka inkurajuar për progres të shpejtë drejt formimit të qeverisë në Kosovë dhe ka përgëzuar “mbajtjen e qetë dhe demokratike” të procesit zgjedhor lokal.
Ajo ka shprehur shqetësim për disa deklarata të fundit që, sipas saj, “rrezikojnë të rrënojnë institucionet shtetërore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese”. Kryeministri në detyrë Albin Kurti më herët kishte shprehur kritika për Kushtetuesen.
“Institucionet e forta dhe gjithëpërfshirëse janë jetike për të avancuar integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe për të ofruar progres për qytetarët e saj”, theksoi ajo, duke e cilësuar kthimin e kryetarëve serbë në komunat me shumicë serbe si “një hap pozitiv drejt një pushteti lokal përfaqësues”.
Jennifer MacNaughtan po ashtu ka kërkuar nga të gjitha palët që tranzicioni institucional në komunat ku kanë fituar kandidatët e Listës Serbe të zhvillohet me “respektim të plotë të sundimit të ligjit dhe me mundësi reale për riintegrimin e komunitetit serb”.
Dy vjet pas sulmit në Banjskë, Britania ka ritheksuar thirrjen ndaj Serbisë që të bashkëpunojë për “tkurrjen e tensioneve” dhe të sigurojë “përgjegjësinë penale të autorëve të sulmit”, përfshirë dorëzimin e Milan Radoiçiqit.
“Llogaridhënia për sulmin në Banjskë dhe për sulmet ndaj KFOR-it është pritur shumë gjatë”, ka thënë Jennifer MacNaughtan, duke shtuar se çështjet e pazgjidhura duhet të adresohen përmes dialogut.
Britania gjithashtu ka mirëpritur “angazhimin konstruktiv të të gjitha palëve” në procesin e Berlinit dhe u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare të fokusohen në përdorimin më efikas të resurseve të OKB-së.
“Me presionin e shtuar mbi buxhetin e Kombeve të Bashkuara, resurset duhet të rialokohen aty ku kanë më shumë efekt, e jo të mbahen në misione të trashëguara pa mandat të qartë”, ka theksuar ajo, duke kërkuar “rishikim strategjik të UNMIK-ut dhe një qasje më efikase të stafit civil”.
Kina dhe Rusia kritikojnë Kosovën
Përfaqësuesi i Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Geng Shuang, ka dënuar, siç ka thënë ai, “veprimet e njëanshme” të autoriteteve të Kosovës në veri të vendit, duke shtuar se ato po nxisin tensione dhe po minojnë stabilitetin rajonal.
Në fjalimin e mbajtur gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit, Shuang është shprehur se situata në veri “ka qenë e luhatshme” dhe ka akuzuar Prishtinën zyrtare për veprime që sipas tij “cenojnë të drejtat legjitime të komunitetit serb”.
“Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur me mburrje disa institucione jetike për serbët, kanë shënjestruar serbët me bastisje të dhunshme dhe tashmë kanë hapur edhe urën e re mbi lumin Ibër. Këto veprime shkelin të drejtat legjitime të serbëve dhe nxisin tensione”, ka deklaruar ai.
Përfaqësuesi i Kinës u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që “të shmangin veprime që rrisin përplasjet” dhe të përmbahen nga çdo hap që mund të përkeqësojë situatën në terren.
Ai ka thënë se Pekini mirëpret dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por se “thelbi i problemit qëndron te veprimet e njëanshme dhe të vazhdueshme nga Kosova, që krijojnë mosbesim ndërmjet komuniteteve”.
“Prania e Kombeve të Bashkuara në Kosovë është një garanci e fuqishme për zgjidhjen e çështjes”, ka shtuar Shuang. Sipas tij, qëndrimi i Kinës “mbetet i qëndrueshëm dhe i pandryshuar”.
Në fund të fjalimit të tij, përfaqësuesi i Kinës ka thënë se vendi i tij “mbështet palët që të arrijnë një zgjidhje të dyanshme përmes dialogut dhe kompromisit”, duke nënvizuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.
Kina nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës.
Ndërkohë, përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vassily Nebenzia, ka hedhur pretendimet e zakonshme të këtij shteti për pavarësinë dhe sovranitetin.
Duke iu përgjigjur thirrjes së SHBA-së që UNMIK-u duhet të mbyllet, Nebenzia ka thënë se kundërshton kategorikisht këtë për shkak të atyre që i quajti “rrethana të rënda” në Kosovë.
BE-ja e Franca bëjnë thirrje për nxjerrje të autorëve të sulmit në Banjskë para drejtësisë
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kombet e Bashkuara, Stavros Lambrinidis, ka thënë se Serbia nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i sjellë para drejtësisë autorët e sulmit në Banjskë, i kryer më 24 shtator 2023. Në sulmin në Banjskë është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“BE-ja pret që Serbia të marrë të gjitha masat për t’i kapur dhe ndjekur penalisht autorët e sulmit të vitit 2023 në veri të Kosovës. Serbia ka bërë veprime të pamjaftueshme në këtë drejtim”, ka thënë Lambrinidis në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ai ka thënë se deklarata e tij mbështetet nga shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet kandidate, përfshirë Shqipërinë.
Ai ka thënë se progresi në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është esencial në rrugën evropiane të të dyja vendeve. Ai ka thënë se BE-ja është e shqetësuar për situatën në veri dhe u ka bërë thirrje palëve të frenohen nga hapat e njëanshëm.
Po ashtu ka folur për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe ka përshëndetur pjesëmarrjen e gjitha komuniteteve në këto zgjedhje. Ka bërë thirrje për dorëzim të lehtë të pushtetit te kryetarët e zgjedhur në komunat veriore. Po ashtu, ka kërkuar nga Kosova që ta mundësojë riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
E Franca ka bërë thirrje që statusi i komunitetit serb në Kosovë të zgjidhet përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e cilësuar këtë si hap të domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në fjalimin e mbajtur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesi francez ka theksuar se zgjedhjet lokale në veri kanë kaluar pa incidente dhe me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, duke kërkuar që kalimi i pushtetit të ndodhë në mënyrë të qetë.
“Nuk ka alternativë për normalizimin, i cili është thelbësor për integrimin evropian të Kosovës dhe Serbisë. Duhet respektuar zotimet e Marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit. Veprimet e Qeverisë së Kosovës kanë pasur pasoja negative për komunitetin serb dhe statusi i tyre duhet të zgjidhet përmes themelimit të Asociacionit”, ka thënë përfaqësuesi i Francës.
Ai gjithashtu e ka cilësuar si “tërësisht të papranueshme” faktin që autorët e sulmit në Banjskë të vitit 2023 ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë.
“Është e papranueshme që, dy vjet pas sulmit, përgjegjësit të jenë ende të lirë”, ka thënë përfaqësuesi francez.
Për Kosovën, që nga viti 2020, diskutohet dy herë në vit në OKB.