Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deliu-Kodra: Kurti mendoi se opozita frikësohet nga zgjedhjet e hyn në sallë në momentet e fundit

Blerta Kodra-Deliu

Blerta Deliu-Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se nesër do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, me partitë politike, për të diskutuar për datën e zgjedhjeve.

Sa i përket shpërndarjes së Kuvendit pasi nuk arriti të zgjidhet presidenti apo presidentja e Kosovës, Deliu-Kodra deklaroi se në seancën e mbrëmshme kryeministri Albin Kurti ka pasur pritshmëri që opozita do të hyjë në sallë në momentet e fundit pasi frikësohet nga zgjedhjet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Jam e bindur se ai ka menduar se partitë opozitare do të frikësohen prej zgjedhjeve e pastaj në fund do të futen në sallë e do të bëhen pjesë e maskaradës politike. Thirrjet e deputetëve si janë bërë në foltore të Kuvendit, kjo më kujton atë deklaratën e tij me Isa Mustafën që kur Kurtit i duhej e quante profesor të nderuar e kur nuk i duhej i vendoste lloj-lloj epitetesh. Jam e bindur se tash do të shihni epitetet e tij edhe ndaj Vjosa Osmanit sepse gjuha e komunikimit, sjellja e Kurtit, nuk është bashkëpunuese e as përafruese”, ka deklaruar ajo.

Deliu-Kodra, ka thënë se emrat e kandidateve për presidente, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, nuk janë konsultuar me partitë e tjera politike. Ajo i quajti propozime të momenteve të fundit.

“Nuk mund të nxjerrësh emra në momentin e fundit. Në momentin e fundit kishim dy emra, i asaj të Feride Rushtit dhe Hatixhe Hoxhës, të cilët nuk ishin konsultuar me partitë politike. Nuk kishte një marrëveshje politike. Ishin momente të fundit ku Kurti provonte që të hidhte fajin diku për përgjegjësinë që ai e kishte përgjatë gjithë kohës. Në vazhdimësi e kemi dëgjuar duke e cilësuar të pamjaftueshme opozitën. E ka cilësuar të pamjaftueshme PDK-në me 22 deputetë edhe LDK-në me 13 deputetë që të bëhen hise e zgjedhjes së presidentit”, ka thënë Deliu-Kodra në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Deliu-Kodra ka akuzuar qeverinë Kurti se me nguti i ka mbushur bordet me militantë partiakë para se të shkohet në zgjedhje.

“Dy ditë para se të përmbyllet afati kushtetues, javën e kaluar u zgjodhën KPM-ja e RTK-ja me nguti për t’i mbushur me militantë partiakë dhe dy ditë para se të shkonim në zgjedhje ai vendosi që t’i mbushë të gjitha bordet me emra partiakë sepse kishte shumicën brenda Kuvendit të Kosovës dhe ishte e pamundur ta parandalonim. Duhet sa më shpejt t’i thuhet ‘stop’ kësaj qeverie”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

Kuvendi i Kosovës është shpërndarë në mesnatën e 28-prillit pasi përfundoi afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh siç është përcaktuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Gjatë ditës, u.d e presidentes Albulena Haxhiu është takuar me kryesuesin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në lidhje më përgatitjen e këtij procesi. Ky i fundit ka kërkuar që 7 qershori të jetë data e zgjedhjeve.

Nesër, Haxhiu do t’i presë partitë politike për të folur për datën e zgjedhjeve. LDK-në në takim do ta përfaqësojë Jehona Lushaku, ndërsa AAK-në, Ardian Gjini.