Arbëri

Deklarata Kosovë-Serbi për të zhdukurit përplas pushtetin me opozitën

Në seancën disaorëshe të Kuvendit të Kosovës është debatuar kryesisht për takimin Kurti-Vuçiq, i realizuar të martën në Bruksel. Opozita kritikoi përmbajtjen e deklaratës për të pagjeturit, por anëtarë të kabinetit qeveritarë u kundërpërgjigjën duke thënë se qeveritë e mëhershme ishin angazhuar për amnisti të krimeve të luftës.

Polemikat për përmbajtjen e deklaratës për të zhdukurit, për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2 maj në Bruksel, e kanë dominuar diskutimin në seancën e së enjtes në Kuvend.

Kryeministri Albin Kurti i cili nuk qe në sallë plenare, u kritikua nga ligjvënës opozitarë, e me ta përplasi argumentet zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

“Në tekstin e deklaratës ka një formulim te tillë, angazhohemi së bashku, pra kemi të bëjmë me dy palë që marrin përsipër së bashku – aq sa merr përsipër Serbia, merr edhe Kosova. Ky është barazimi”, ka thënë deputeti i LDK-së, Kujtim Shala.

“Është mirë vetëm të identifikoni një fjali këtu që vendos barazi në krime. Personat e zhdukur nuk janë kategori e re. Dihet me emra dhe mbiemra kush janë zhdukur. Është idiotësi me thënë se po barazohen krimet”, iu përgjigj Bislimi.

U polemizua edhe për terminologjinë profesionale të përdorur në deklaratë.

“Më 2 maj në Bruksel rrëfimi i tyre është rrokullisur, dhimbja e tyre është përmbysur. Është barazuar. Është baraspeshuar. Kryeministri i Kosovës ka shpikur një term të ri, ‘forcibly disappeared’, i cili nuk ekziston në konventat ndërkombëtare të organizatës së Kombeve të Bashkuara”, u shpreh deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.

“Pra, Hajredin Kuqi, ish-ministri i drejtësisë flet për amnistimin e krimeve të luftës. Pra, këtë qasje e ka ndjekur qeveria kur është udhëhequr nga PDK-ja. Këtë qasje e ka ndjekur edhe Hashim Thaçi sa e ka udhëhequr dialogun me Serbinë”, iu kundërpërgjigj ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Deklarata, që u miratua këtë javë në Bruksel, përmban termin “të zhdukur me forcë” kur u referohet të pagjeturve. Kosova ka insistuar në termin “të zhdukur me dhunë”, por Serbia ka kundërshtuar, pasi ka theksuar se kjo, pastaj, do të krijonte pasoja juridike për këtë shtet.