Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj dorëzon mandatin e deputetit

Daut Haradinaj ka dorëzuar mandatin e fituar në zgjedhjet e fundit dhe vendin e tij do ta zë i pari në listën e pritjes së AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

Haradinaj ka bërë të ditur lajmin përmes një postimi në Facebook, të hënën mbrëma.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, votues të AAK-së! Dëshiroj t’ju falënderoj për besimin e dhënë tash e sa mandate, besim të cilin jam munduar ta kryej me nder duke qenë zëri juaj në Kuvend. Tash ne rrethanat e reja që jemi, do të heq dorë nga ky mandat për t’i krijuar hapësirë prof. Dr. Shemsedin Dreshajt të jetë deputet, dhe për të pasur mundësi kohore që të jem më prezent nëpër komunat tona edhe për faktin se do kemi zgjedhje në këtë vjeshtë. Po ma kërkon struktura angazhimin në terren dhe nuk dua ta bëj punën në terren në dëm të mandatit të popullit”, ka shkruar Haradinaj.

Ai është zgjedhur deputet për disa mandate.

Dreshaj ishte i dyti në listën e AAK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, por mbeti jashtë Kuvendit bazuar në rezultatet e certifikuara.

AAK-ja ka fituar tetë mandate në zgjedhjet e fundit.

Ndërkaq vetë Dreshaj për KOHËN ka thënë se nuk ka informatë zyrtare se ai do të jetë deputet i kësaj legjislature.

Artikuj të ngjashëm