Në një tavolinë, ku sipas masave anti-Covid do të duhej të ishin të ulur 5 persona, ishin ulur tetë. Në mesin e tyre, edhe dy krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.
E gjithë kjo në Darkën e Lamës, darkë kjo e organizuar tradicionalisht nga presidentët e vendit, nisur nga presidenti Ibrahim Rugova.
Organizimin e bërë për këtë darkë e kanë kritikuar nga Oda e Hotelerisë. Sipas Driton Hotit, përfaqësues i pronarëve të sallave të dasmave, krerët e institucioneve janë duke shkelur masat që vetë i kanë caktuar.
“Ne nuk jemi kundër Darkës së Lamës, e dimë që është një traditë e kahmotshme, por jemi kundër shkeljeve ligjeve që vet i bëjnë, kundër ligjeve, masave që vet i bëjnë dhe pikërisht në sallë të dasmave ata shkojnë dhe mbajnë një aheng të tillë, kur nuk respektohen as distanca as numri, që me masat e fundit që janë në fuqi, domethënë lejohen deri në 50 persona në ambiente të mbyllura. Ata vet po bien në kundërshtim me rregullat që ata po i përcaktojnë, ne nuk jemi kundër Darkës së Lamës se është traditë e kahmotshme”, ka thënë Hoti.
Sipas masave kundër koronavirusit, e të cilat janë ndryshuar dy ditë para mbajtjes së Darkës së Lamës, shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura lejohet deri në 50 për qind të kapacitetit.
Në hapësirën ku u mbajt Darka e Lamës, lejohen “deri në 4 persona në tavolinë, në rast se tavolinat janë më të mëdha se dy metra, atëherë parakusht është kufizimi prej pesë personave në 10 metra katrorë”.
Por, pavarësisht kësaj, mbajtjen e Darkës së Lamës e ka arsyetuar ministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha. Në emisionin “60 minuta”, ajo nuk ka treguar nëse nga Zyra e Presidentes kanë marrë leje për një organizim të tillë, duke thënë se janë respektuar masat.
“Darka e Lamës e cila është organizuar mbrëmë në bazë të rregullave që i ka gastronomia të gjithë kanë qenë të ulur, nuk ka pasur qëndrim në këmbë. Salla ka qenë 1 mijë metër katror dhe kanë qenë pjesëmarrës 100 pjesëmarrës. Nëse në ambiente... ka qenë brenda limiteve sipas vendimit”, është shprehur Gexha.
Se nuk ka pasur shkelje të masave kanë thënë edhe nga Zyra e Presidentes.
“Darka e Lamës është darkë institucionale- shtetërore ku janë promovuar prodhimet vendore, ndaj është mbajtur si e tillë. Në të kanë marrë pjesë rreth 100 persona te ftuar. Salla në të cilën është mbajtur darka është e dedikuar për 800 persona, për raste të kongreseve, kurse 500 persona për organizime të tjera. Rrjedhimisht nuk ka pasur shkelje të rregullave pandemike. Nuk ka pas nevojë për leje prej Qendrës Operative Emergjente të MSH-së, sepse nuk ishte kongres, apo konferencë, por një darkë tradicionale. Pra, një aktivitet protokollar me pjesëmarrjen e ambasadave të akredituara në Kosovë, prodhuesve vendorë, si dhe personaliteteve nga shëndetësia, arti, kultura, shkenca, inovacioni dhe përfaqësuese të grave të Krushës. Pjesëmarrës kishte vetëm në 15 për qind të të gjithë sipërfaqes. Largësia ndërmjet tavolinave ka qenë afro 2 metra. Pjesëmarrësit kanë qenë të vaksinuar”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.
Sali Cacaj, këshilltar i presidentit Ibrahim Rugova, tashmë i ndjerë, e njëherësh edhe organizator i kësaj darke, thotë se me gjithë ndryshimet ndër vite, ajo duhet të përmbajë më shumë elemente të traditës.
Organizimi i Darkës së Lamës është bërë tradicionale që nga presidenti Ibrahim Rugova.