Po mbahet festa e përvitshme tradicionale "Darka e Lamës".
Në pritje ka qenë Presidentja e vendit Vjosa Osmani derisa pjesë e kësaj ngjarjeje janë edhe dy ish-presidentët tjerë të Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga.
Përpos tyre kanë ardhur edhe ministra nga kabineti qeveritar si Liburn Aliu, Faton Peci e Artane Rizvanolli, si dhe krerë nga FSK e Kryetari i KQZ Kreshnik Radoniqi.
Osmani ka thënë se kjo darkë është një trashëgimi kulturore që u ka mbijetuar shekujve duke u bërë pjesë e kulturës.
“Shqiptarët i kanë dhënë krah njëri tjetrit në kohë të ndryshme duke u bërë solidarë më njeri-tjetrin. Shprehja e njohur ‘bukë e krip e zemër’ merr kuptim në këtë darkë ngase në sofra janë ushqime tradicionale që nderojnë mikun. Sonte mendjen e kemi te të gjitha familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre nga COVID-19. Është kohë e vështirë për ta dhe vazhdimi tutje na tregon se sa e rëndësishme është ruajtja e miqësisë më njëri-tjetrin. Kjo darkë tregon për falënderimin tonë ndaj të mirave. Edhe sonte shprehim gjithë falënderimin tonë për mantelbardhët”, ka thënë ajo.
Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve ka thënë se është privilegj për që për herë të dytë po organizojnë një darkë të tillë me kërkesë të presidentes.
“Kemi një darkë ku besoj se të gjithë do të kaloni mirë. Kemi shumë virtyte por dy të rëndësishme janë Besa dhe Tradita. Na pret shumë punë që mikpritjen shqiptare ta tregojmë pasi lidhet me besën shqiptare. Mikpritja përmes gastronomisë është diçka që eksportojmë edhe kulturën tonë. I kemi mbi 700 restorante me pronar në Berlin. Na pret shumë punë përpara. Ministria e Bujqësisë ta brendoj produktin e Kosovës e të shitet jashtë. Ministria e Kulturës ta brendoj kulturën e gastronomisë”, ka thënë ai.