Krerët shtetërorë ua kanë uruar besimtarëve myslimanë festën e Fitër Bjaramit.
Presidentja Vjosa Osmani ka uruar që të ketë atmosferë dashurie, shprese, solidariteti e humanizmi.
“Kjo festë që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, karakterizohet me solidaritet ndërnjerëzor, një trashëgimi e jona e bartur ndër breza. Le të shërbejë kjo ditë feste për t'u ofruar me njëri-tjetrin, sikurse edhe për t`i mbështetur njerëzit e tjerë në nevojë”, ka shkruar në urimin e saj Osmani.
Edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka uruar duke thënë se hareje, paqja, harmonia dhe lumturia duhet të jenë prioriteti kryesor.
“Duke e vizituar dhe përqafuar njëri-tjetrin, le të ndajmë mikpritjen, dashurinë dhe mirënjohjen mes nesh, ashtu siç ndajmë edhe ëmbëlsirat. Shpresojmë që kjo festë të sjellë më shumë gëzim, shëndet dhe prosperitet për ju dhe familjen tuaj. Të udhëhequr nga kjo dashuri, të përkushtohemi edhe më shumë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme në Kosovë dhe më gjerë”, ka shkruar ai.
E, kryeministri Albin Kurti ka uruar që festa të sjellë gëzim dhe paqe, pas muajit të Ramazanit.
“Si ditë e besimit dhe shpresave të reja qoftë ditë e ripërtëritjes së dashurisë për njeriun dhe njerëzoren. Në solidaritet me të varfërit e të vetmuarit, kjo festë ua mbushtë zemrat me mirënjohje. Uroj mirësi e begati në shtëpitë tuaja dhe në shtetin tonë!” ka shkruar Kurti.