Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, thotë se Serbia dëshiron kompromis kur bëhet fjalë për Kosovën. E sipas tij, njohja e pavarësisë nga Serbia nuk është kompromis.
“Është kërkesë e palës në Prishtinë. Kompromis është gjendja reale në terren”, tha Daçiq në një intervistë për DW-në, duke iu referuar situatës në veri ku sipas tij, Prishtina zyrtare nuk e ka kontrollin e plotë.
“Serbia tash nuk ka kontroll mbi gjithë Kosovën, por as Prishtina në veri, kompromisi është gjendja reale në terren”, ka shtuar ai, por duke iu shmangur pyetjes për ndarjen e Kosovës si mundësi.
Ai ka folur edhe për të zhdukurit gjatë luftës, për kryeministrin Kurti dhe për marrëveshjet që sipas tij, nuk po i respekton.
“Unë sa isha kryeministër ka firmosur marrëveshjen e Brukselit me Hashim Thaçin, por tash Kurti mendon se ato nuk kanë vlerë. Ka një kohë para Kurtit dhe pas tij”, ka thënë Daçiq, kryetar i partisë që dikur drejtohej nga krimineli Slobodan Milosheviq. Daçiq ishte dora e djathtë e tij, në luftë e pas luftës, por thotë se nuk ka pse të pendohet për këtë.
“Nuk kam diçka për t’u penduar”, ka thënë ai.